Gati për “luftë”, Mavraj debuton në derbin e zjarrtë

0

Derbi i Selanikut klasifikohet mes 50 sfidave më të nxehta të futbollit botëror. Një rivalitet i madh ai ndërmjet Arisit dhe PAOK-ut, me të dy klubet dhe tifozeritë, që pretendojnë se janë klubet më të suksesshme greke jashtë kryeqytetit, Athinë.

Në një duel të tillë do të debutojë edhe Mërgim Mavraj. Mbrojtësi i Kombëtares pritet të luajë këtë të mërkurë në derbin e Kupës së Greqisë. Trajneri Pako Herrera pritet t’a aktivizojë kuqeziun prej minutës së parë, në ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Tumbas”.

Sipas mediave pranë klubit të Arisit, 32-vjeçari do të zbresë në fushë për herë të parë në këtë sezon, me numrin 33 në shpinë. Derbi është një mundësi për t’u ngjitur në hirearkinë e skuadrës dhe që Mavraj të fitojë besimin e stafit teknik, për t’u shndërruar në një prej shtyllave të mbrojtjes së verdhezinjve.

Përpos aktivizimit me Kombëtaren shqiptare, për pak minuta në fundin e ndeshjes së 7 shtatorit ndaj Izraelit, në nivel klubesh mbrojtësi nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare prej shtatë muajve. Aktivizimi i fundit ka qenë ai i 17 shkurtit 2018 në ndeshjen e Bundesligës gjermane, ku Hamburgu humbi 2-1 në shtëpi përballë Leverkuzenit.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.