Atalanta pret Hapoel Haifën të enjten në ndeshjen e kthimit për Europa Ligë. Ekipi i Gasperinit e ka fituar ndeshjen e parë me rezultatin, 4-1, dhe tashmë është pothuajse në turin tjetër. Në konferencën për shtyp, trajneri bergamask ka shpërthyer kundër klubit. I pakënaqur nga merkato, Gasperini nuk ngurron të “sulmojë” politikën e këtyre të fundit.
“Merkato deri më tani ka qenë e trishtë dhe e varfër, prandaj skuadra ndodhet në vështirësi. Drejtuesit e dinë së për çfarë kemi nevojë, sepse e kam shprehur gjithmonë. Ata kanë vendosur në dispozicion një buxhet të rëndësishëm, por kanë ardhur shumë lojtarë të rinj, të cilët nuk janë akoma gati.”
“Kontingjenti aktual vështirë që do të jetë kompetitiv në të gjitha kompeticionet. Nëse pritshmëritë janë që ne të përsërisim dy sezonet e fundit, ndoshta do nevojitet një trajner më i aftë”, përfundon tekniku 60-vjeçar, i cili ka arritur të kualifikojë Atalantën, për të dytin vit rresht në Ligën e Europës.
Një “shpërthim” i tillë na kujton Stavri Nicën në futbollin tonë. Në fillim të sezonit të kaluar, durrsaku u largua për të disatën herë nga bardhezinjtë. “Nuk përballohet Superliga me futbollistë të rinj”, tha Stavri dhe mori rrugën që merr gjithmonë kur mërzitet. Ata djemtë e rinj i habitën Nicën dhe të gjithë, duke përballuar Superligën dhe duke zhvilluar një kampionat të madh, madje eleminuan dhe Anorthosisin e “vjetër” dhe me eksperiencë.