Silvio Berluskoni dhe Adriano Galiani i janë rikthyer futbollit duke blerë klubin e Monzës, që është pjesë e kategorisë së tretë italiane. Dyshja e famshme, të cilët dërguan Milanin në majat botërore të futbollit, tashmë rikthehen me qëllimin për të sjellë Monzën në Serinë A, për herë të parë në historinë e saj 106-vjeçare. Berluskoni ka blerë 70% të aksioneve të klubit, Galiani do të jetë administratori i deleguar, ndërsa presidenti aktual dhe i ardhshëm, Nikola Kolombo, do të mbajë 30% të aksioneve.
“Rikthimi ynë në futboll duke blerë klubin e Monzës po shkakton të njëjtin efekt në Serinë C, si Kristiano Ronaldo në Serinë A. Na mungonte futbolli mbas shitjes së Milanit. Po diskutonim me presidentin prej kohësh për të blerë një tjetër klub. Monza ishte skuadra e vetme, që nuk e prishi marrëdhënien e mirë me Milanin. Berluskoni ka refuzuar blerjen e shumë skuadrave në këto muaj, ndërsa unë kisha shumë oferta për të punuar me klube të tjera. Presidenti jeton 3 km larg stadiumit të Monzës, ndërsa unë kam lindur në atë qytet, jam rritur dhe kam filluar karrierën time si drejtues. Ndihemi sikur Uliksi, i cili është rikthyer në Itaka”, tregon Adriano Galiani për “Corriere dello Sport”.
“Në ditët e fundit tundimi jonë u shndërrua në një ide operative. Në emër të presidentit, kontaktova me Nikola Kolombon, numrin një të Monzës, për të konfirmuar mundësinë e një tratativë. Në tre ditët e fundit kam marrë telefonata nga lojtarë të lirë pa kontrata dhe menaxherë të interesuar për klientët e tyre. Duam të ndërtojmë një skuadër të përbërë nga lojtarë, që mund të luajnë më skuadrat kombëtare të Italisë. Filozofia e presidentit, e mbështetur nga pronarët aktualë, është të krijojë një klub në shërbim të përfaqësueseve U15 e më lart.
Presidenti kishte themeluar më parë ekipin e Edilnord, që ka luajtur në të gjitha kategoritë. Unë kam qenë pjesë e bordit drejtues të Monzës nga viti 1975 deri në vitin 1985, por përmes elektronikës industriale, bleva në ato vite ekipin e Sent Anxhelo Lodixhiano. Për më tepër, askush nuk pyet se pse në mesin e shumë menaxherëve, presidenti kur bleu Milanin më besoi mua postin e administratorit të deleguar. Nuk mu dhurua për frymën e shenjtë, por falë kurrikulës time. Faleminderit Monza”, përfundon Adriano Galiani, i cili është gati për të nisur një tjetër aventurë me Berluskonin, mbas eksperiencës së paharrueshme me kuqezinjtë e Milanit.