Mançester Siti pasditen e djeshme doli i zhgënjyer me barazimin e arritur në “Anfield” ndaj Liverpulit. Rasti që peshon më shumë është padyshim penalltia e humbur nga Rijad Mahrez, kur duheshin dhe vetëm pesë minuta që të mbyllej takimi.
Pikërisht ky rast është diskutuar tek Siti, pasi bëri shumë përshtypje vendosja e algjerianit, si goditës i penalltisë, ku te Mançester Siti ka si goditës të parë Sexho Agueron, por argjentinasi ishte zëvendësuar me Gabriel Zhezus. Pikërisht ky i fundit në momentin e penalltisë mori fillimisht topin për të goditur, por më pas ishte Mahrez që e mori përsipër.
Në lidhje me këtë moment Zhezus është shprehur i zhgënjyer për faktin që nuk u lejua që të ishte ai goditësi i 11-metërshit.
“Sigurisht që nuk jam i lumtur. Gjithashtu si Mahrez edhe unë i kam praktikuar shumë goditjet e 11-metërshave dhe kisha shumë dëshirë që ndeshjen e djeshme ta merrja përsipër unë. Kisha shumë besim, por nuk mu lejua kjo gjë. Gjithsesi e rëndësishme është që nuk humbëm”, përfundoi i mërzitur braziliani.