Gabriel Barbosa, ose i njohur me nofkën (komike) Gabigol, është kthyer te Santosi, aty ku u rrit dhe mori pseudonimin që magjepsi Europën dhe sidomos Interin, që “la leshtë” për ta blerë.
Dështoi tek Interi, dështoi te Benfika dhe tashmë Gabigol shkon në Brazil. Gjithsesi, Interi nuk e heq dot qafe, sepse e çon në huazim te Santosi, duke u lutur që “Gabistoli” të kthehet aq që ka qenë.
Te Santosi i kanë dhënë numrin 10, atë të një lojtari pak a shumë të njohur, një Pele që në Brazil është perëndi.
“Gjithçka u mbyll shumë shpejt, kam mësuar shumë nga vuajtjet në Europë dhe jam i lumtur që kthehem te dashuria ime e madhe, Santosi, klub me të cilin jam tifoz, si gjithë familja ime. E dinin të gjithë që doja të kthehesha”, tha Gabigol gjatë prezantimit, duke shkuar deri aty sa të pretendojë kthimin në kombëtare.
“Kthehem në i pjekur dhe me eksperiencë. Nëse do të paraqitem mirë, do të kthehem në kombëtare, është edhe Botërori këtë vit. Po pres me padurim të luaj, sidomos në Kupën Libertadore. Të jetë për mua, nuk iki më kurrë nga Santosi”.
Një batutë edhe për Interin, që pagoi 30 milionë euro për ta blerë, dy vite më parë: “Gabova kur braktisa stolin në një ndeshje, por kërkova falje një ditë më vonë. Kam mësuar nga gabimet e mia, ky është virtyt për çdo njeri”.