Futboll i falimentuar deri në palcë, kur pretendojmë se kemi kategori të ulëta!

0

E dini se në Shqipëri ekzistojnë 4 nivele kampionatesh? Kemi Superioren, Kategorinë e Parë, të Dytën dhe të Tretën? Po, në vendin tonë kemi 4 liga, kampioni i vjetshëm i Kategorisë së Tretë, Rubiku hyri në kampionat me vonesë dhe doli kampion. Niveli i profesionalizmit në kulm, pak a shumë si futboll lagjesh, pavarësisht se këto krahina duhen përkrahur, pasi nuk e pretendojnë profesionalizmin.

Profesionalizmin e pretendojnë në Kategoritë e Dyta deri diku dhe ekipet e së parës janë “superprofesioniste”. Aq profesioniste sa të përmendesh rrogën është si të shash drejtuesit me libër shtëpie. Në Kategorinë e Parë, aty ku pretendojmë se kemi futboll, të ofrohen kontrata 150-200 mijë lekëshe (të vjetra) në muaj dhe nuk i merr asnjëherë!

Në ligën e dytë të futbollit tonë të ofrohen kontrata shumëvjeçare dhe vitin e parë pa para, madje pa trajtim ushqimor. Klube elitare, që pretendojnë se kanë ambicie për t’u ngjitur në Superiore dhe duan të nxjerrin talente. Tallje e hapur! Madje, madje, pretendojnë se po bëjnë punë të mirë.

E në fund, janë po këta klube, pa para, pa rroga, pa nivel, që anashkalojnë futbollistët e rinj, nuk po flasim për talente, të mos e ekzagjerojnë, dhe marrin në skuadra, me gjithë respektin, lojtarë mbi 30 vjeç. Dështim dhe në menaxhim.

Në Shqipëri jemi të prirur t’i ekzagjerojmë gjërat, qimen e bëjmë tra dhe futbollit i japim më shumë popmpozitet se duhet. Në vendin tonë, atë prej 28 mijë e kusur metrash katrorë, ku kemi mbetur më pak se 3 milionë vete, kemi 4 liga.

Në fakt, pretendojmë se kemi, ashtu si themi për futbollin elitar, Superioren. Asgjë nuk ka super dhe të njëjtat probleme si kategoritë e ulëta. Momentalisht janë disa ekipe që janë me 3-4 muaj pa rroga dhe flasim për profesionalizëm? Futbolli ynë është i falimentuar deri në palcë, pa marketing dhe pa tifozë, e kjo duke e parë gotën gjysmë plot!   

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.