Fushtar mungesë e sigurt, Rezi bashkohet me grupin

Kroati nuk e ka kaluar dëmtimin e pësuar që në ndeshjen me Kukësin dhe në Durrës nuk do të jetë, kurse sulmuesi nuk ka probleme  

Mbrojtësi kroat, Ivan Fushtar, do të mungojë edhe në ndeshjen e javës së 13-të të kampionatit, që Kamza do ta zhvillojë të shtunën në fushën e Tutës. Futbollisti që më parë ka luajtur edhe me Flamurtarin, ka munguar në ndeshjet e fundit me Skënderbeun në Korçë dhe me Lushnjën në shtëpi, për shkak të një dëmtimi të pësuar në ndeshjen me Kukësin, ku ka marrë një goditje të fortë, që i ka shkaktuar një ematomë në kofshë. Qendërmbrojtësi do të jetë i gatshëm për trajnerin Ndreu në ndeshjen e javës së 14-të të kampionatit, kurse në Durrës llogaritet mungesë e sigurt për Kamzën.

REZI – Ermir Rezi ishte ai që shënoi në portën e Teutës që në minutën e parë të ndeshjes së Kupës së Shqipërisë, që u luajt ditën e mërkurë dhe përfundoi me rezultatin 1-1. Por ai pësoi një dëmtim dhe u zëvendësua në atë ndeshje, ndërsa dje është bashkuar me grupin në stërvitje, duke bërë kështu që trajneri Ramadan Ndreu ta përfshijë në përgatitjet e ndeshjes së radhës me Teutën në kampionat. Në Durrës do të jetë më e vështirë për Kamzën, që mban vendin e 4-t në renditje aktualisht. Kamza ka treguar deri tani se mund të përballojë çdo kundërshtar, madje edhe në fushë kundërshtare, kështu që edhe në “Niko Dovana” do të shkojë për të marrë rezultat pozitiv.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *