Fushtar e mbyll me Kamzën, rikthehet për Partizanin

Mbrojtësi u largua dje drejt Kroacisë duke përfunduar aventurën me kamzalinjtë. 28-vjeçari do të vishet i kuq

Kjo merkato janari duket se do të jetë e zjarrtë për klubet shqiptare të Superiores. Kamza ka qenë surpriza më e bukur e këtij sezoni, por 3 ndeshjet e fundit të humbura radhazi kanë kthyer me këmbë në tokë ekipin e trajnerit Ramadan Ndreu. Në fakt, problemet kanë nisur edhe për shkak të merkatos së janarit. Disa nga futbollistët e Kamzës janë emra të pëlqyer edhe nga klubet e tjera dhe kjo bën që mes drejtuesve dhe lojtarëve të ketë edhe debate që kanë ndikuar në rezultate.

Lajmi i fundit nga kampi i Kamzës nuk do të kënaq aspak tifozët e këtij klubi, pasi shtylla e mbrojtjes, por edhe e ekipit, Ivan Fushtar i ka dhënë fund aventurës me Kamzën. Burime të besueshme pranë lojtarit bëjnë me dije se futbollisti nuk do të kthehet më te klubi i presidentit Naim Qarri.

KAMZA – Emri i Fushtarit ka qenë prej kohësh i përmendur në merkaton e janarit. Partizani dhe Skënderbeu kanë qenë në garë për të marrë, por në mes ka qenë kontrata e tij me Kamzën. 28-vjeçari ka folur ditën e djeshme me drejtuesit e klubit të Kamzës dhe u ra dakord që palët të ndërprisnin bashkëpunimin. Ai u largua drejt Kroacisë dhe nuk do të kthehet më në ekipin e trajnerit Ndreu, por do të jetë sërish pjesë e Superiores.

PARTIZANI – Fushtari nuk do të ndryshojë krejtësisht ambient, pasi do të kalojë nga Kamza te Partizanit. Ai do të vihet nën urdhrat e trajnerit të Partizanit me rifillimin e përgatitjeve të janarit. 28-vjeçari do të jetë afrimi i 3 i të kuqve pas Bruno Telushit dhe sulmuesit Lukas. Kroati është një përforcim i goditur për të kuqtë. Futbollisti ka rënë dakord për të kaluar te Partizani. Pjesë të marrëveshjes janë bërë edhe klubet. Partizani ka rënë dakord për t’i paguar Kamzës shifrën e 40 mijë eurove në këmbim të kartonit të tij. Në këtë rast të gjitha palët kanë dalë të fituara.

SKËNDERBEU – Në lojë për të siguruar shërbimet e mbrojtësit ka qenë edhe klubi i Skënderbeut. Kamza ka qenë e prirë të anojë në krahun e korçarëve duke qenë se u treguan të gatshëm të paguanin kartonin e futbollistit, por ka qenë vetë kroati që ka përzgjedhur Partizanin. Kryeqytetasit i kanë ofruar kushte më të mira financiare. Kjo bën që më datë 8 janar kur do të rifillojnë përgatitjet e të kuqve Fushtar do të jetë pjesë e ekipit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *