Rivaliteti mes Juventusit e Napolit këtë sezon ka qenë bukuria e Serisë A, por fundjava e shkuar riktheu helmin e epokës para Calciopoli-t.
Juventusi fitoi mes polemikash pa fund në Milano ndaj Interit dhe gjithë antijuventinët kanë ngritur krye, duke kujtuar kohën kur drejtonte Luçiano Moxhi dhe kur Juventusi akuzohej se ushtronte pushtet jashtë fushe, duke marrë ndihma në çdo drejtim.
Deklaratën me të fortë e ka dhënë sot kryebashkiaku i Napolit, Luixhi de Maxhistris, i cili në Facebook ka postuar një mesazh shumë të fortë, me akuza që kalojnë nga sporti të politika dhe shteti.
“Jam gjithnjë një napolitan krenar, në gëzim e në dhimbje, me defektet dhe virtytet tona. Qyteti ynë dhe populli napolitan janë të lodhur nga padrejtësitë. Do e rimarrim atë që na keni hequr, do të rifitojmë atë që na takon. Asgjë më shumë se ç’na takon”.
De Maxhistris e ka me Juventusin: “Ndryshimi mes nesh dhe atyre që na uzurpojnë të drejtat tona është se ne gjithsesi jetojmë, sepse dashurojmë dhe kemi një zemër të madhe dhe humanizëm të thellë, ndërsa ata ndihen të fortë dhe të fuqishëm duke vjedhur, me vjedhje Shteti ose Futbolli. Atë që na është vjedhur do ta rimarrim, pa u ankuar dhe pa lypur, me shpinën drejt dhe duke luftuar. Dinjiteti ynë nuk ka çmim, etja jonë për drejtësi është e thellë. Së bashku fitohet, duke shembur ndërtesat e fuqive të korruptuara, duke arritur synimet tona. Rroftë Napoli!”.