Në Angli merkato u mbyll dje, në Itali duhen dhe pak ditë, ndërsa në Spanjë mbyllet në fund të muajit ashtu si dhe në Shqipëri. Gjithsesi, nëse në vendet e huaja, klubet mendojnë vetëm për ndonjë lëvizje që e kanë të detyrueshme, në Shqipëri merkato nuk ka fund.
Gati të gjitha skuadrat e Superiores janë ende në merkato dhe presin lojtarët me kualitet në ditët e fundit të merkatos. Afrime pa limit dhe pa shumë garanci, pasi pjesa më e madhe e lojtarëve që janë të lirë në fundin e muajt gusht, praktikisht kanë kryer pushime verore të zgjatura. Kampionati nis javën e ardhshme dhe skuadrat duan futbollistë ende. Normalisht do të duhet kohë që lojtarët e rinj të përshtaten dhe presim deri në fundin e fazës së parë që skuadra të konsolidohet.
2 apo 3 javë më vonë befasisht ekipi është i konsumuar dhe pritet merkato e janarit, pasi një pjesë e lojtarëve të afruar në verë nuk paskan qenë në lartësinë e duhur. Një pjesë e mirë e skuadrave ndertohen gati nga e para dhe nuk ruajnë më shumë se 4-5 lojtarë nga edicioni i shkuar, fytyra të reja dhe ndonjë element tek-tuk që vërtetë rezulton “goditje”.
Merkato është në fund, por në Superiore fundi nuk ka fund. Që klubet të zënë mend dhe edicionin e ardhshëm të shohim një skuadër që i ka mbyllur llogaritë para se të fillojë kampionit do të jetë disi e vështirë, por të paktën mos të kemi ato federimet e zakonshme në shtator, që një zot e merr vesh se si realizohen. /JURGEN ZELA/