Teuta e ka nisur vrullshëm pjesën e parë kundër Partizanit në finalen e parakohshme të titullit kampion. Ekipi durrsak kishte disa mundësi të pastra për të shënuar që në nisjen e ndeshjes, ndërsa të kuqtë kërkuan 20 minuta që të futeshin në fushën e blertë për të thënë fjalën e tyre.
Gjithashtu ky takim ka nisur menjëherë me tensionin e mbartur që nuk mund të mos shprehej edhe mes lojtarëve. Arbitri akordoi një penallti të pakuptimtë për Teutën në minutën e 6, por e gjitha kjo situatë e tensionuar u qetësua pas korrigjimit nga anësori.
Goli i vetëm i takimit ka ardhur nga Cinari në minutën e 23 pas gafës së madhe të portierit të Teutës. Frashëri i ka bërtitur shokëve të skuadrës se topi në ajër do të zotërohej prej tij, por në fakt bëri dalje tërësisht të pastudiuar dhe sulmuesi i Partizanit e dërgoi topin në rrjetë.
“E imja”! Kjo ishte thirrja e Frashërit që pas përfundimit të pjesës së parë është parë i dëshpëruar duke hyrë në dhomat e zhveshjes. Ndërkohë trajneri i Partizanit, Daja, kishte diçka për të diskutuar me arbitrat e ndeshjes. /Sport Ekspres/