Trajneri i Kamzës, Ramadan Ndreu, ka folur për Supersportin në një intervistë nga Ohri, ku Kamza po zhvillon përgatitjet para sezonit të ri. Ndreu është i kënaqur nga merkatoja, edhe pse pret ende afrime, ndërsa është i bindur se skuadra e tij mund të luftojë për një vend në pjesën e sipërme të tabelës.
“Niveli i Superiores është shumë i lartë, ndaj na duhen lojtarë të denjë për këtë kategori. Jemi munduar të tregohemi të kujdesshëm dhe të sjellim në skuadër lojtarë me eksperiencë. Besoj se kemi arritur diçka, por nuk kemi mbaruar ende”.
Synimi i Kamzës? “Duhet të jemi të kujdesshëm në deklarata. Ekipi është i ndërtuar nga e para, vijmë nga Kategoria e Parë, ndaj nëse dalim mes 6 të parave do të ishte arritje e shkëlqyer. Mendoj se në atë grup jemi, skuadra është mjaft cilësore, nëse punojmë si duhet me grupin që po ndërtojmë”.
STADIUMI – Nga një stadium modest dhe me probleme, Kamza tashmë ka një impiant modern, që pritet tëjetë gati brenda dy-tre javësh. Tapeti i blertë është shtruar dhe gati për të pritur skuadrat teksa në ditët në vijim pritet të rregullohen edhe pankinat. Dhomat e zhveshjeve janë thuajse gati dhe kanë mbetur vetëm disa detaje. Deri përpara sfidës me Skënderbeun e vlefshme për javën e dytë, edhe dy tribunat në krahët e tribunës do të plotësohen me stola, në mënyrë që të licensohen për të mirëpritur tifozët. Në total stadiumi i Kamzës pritet të ketë një kapacitet rreth 4 mijë spektatorë.
Trajneri Ndreu është entuziast: “Bashkia e Kamzës ka bërë një punë të mrekullueshme, sepse po përfundon në kohë rekord fushën dhe infrastrukturën e stadiumit. Nuk ka rëndësi kalendari, rëndësi ka të luajmë mirë dhe të jemi në rregull për gjithë sezonin, ndërsa ndeshje ka shumë dhe pak rëndësi ka se e nisim me ndonjë humbje me skuadrat e kreut”.
Fukui, dygolësh në miqësore
Kamza ka zhvilluar ditën e djeshme një ndeshje miqësore me një ekip të zonës së Ohrit, aty ekipi i drejtuar nga Ramadan Ndreu po zhvillon fazën përgatitore. Përballja e djeshme ka përfunduar në barazim 2-2, teksa të dy golat e takimit janë shënuar nga japonezi Masoato Fukui. Kamza gjatë kësaj periudhe po has në vështirësi për të gjetur kundërshtarë të fortë, pasi në Maqedoni kampionati ka nisur.
Miqësore – E hënë, më 21 gusht
Novaci – Kamza 2-2
Shënues: Nikoviç, Kolevski / Fukui (2)
Kamza: Halilaj, Frashëri, Lelis, Fushtar, Neziri, Idrizaj, Zefi, Arrabal, Mustafa, Fukui, Mehmeti. (U aktivizuan: Gjonikaj, Ymeri, Rezi, Mumajesi)