Ftesa dhe objektiva, Dita flet si lider te Skënderbeu

Barazimi në miqësoren me Renovën nuk është dramë dhe mesfushori Bruno Dita mendon se më e rëndësishme është mënyra si përgjigjet skuadra ndaj kërkesave të trajnerit të ri, Orges Shehi. ” E dimë që ndeshjet duhen fituar, se jemi Skënderbeu, por golat do të vijnë”, tha 25-vjeçari.

Dita shtoi: ” Nuk është se duhet të fitojmë çdo ndeshje, këto janë miqësore. Edhe humbja nuk është problem, mjafton që lojtarët të marrin ngarkesën edhe të bëjnë lojën që kërkon trajneri”. Një tjetër element që lojtari vlerësoi është se “ekipi bëri një ndeshje të mirë, madje paraqitja isht e nivelit më të lart se testi i parë. Kjo u pa në gjendjen fizike, në rastet e krijuara, në qarkullimin e topit”.

Edhe pse i transferuar prej vetëm një viti në Korçë, Dita tregon se ndihet shumë mirë te bardhekuqtë, ndërsa ftoi publikisht dy prej titullarëve të padiskutueshëm të ekipit që të kthehen. “Është e vërtetë që ekipi ka shumë ndryshime krahasuar me sezonin e kaluar, por shpresojmë se do të vijnë edhe lojtarët të cilët i presim: Osmani dhe Mici. Besoj se prapë do të jemi kandidatë për titull”, tha ai.

Në fund, një koment për objektivat e Skënderbeut në sezonin e ri, me Ditën që nuk ka dyshime: “Skënderbeu hyn në çdo sezon në kampionat për të fituar titullin kampion, edhe këtë vit kështu do të ndodhë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *