FSHF s’paguan, Flamurtari e nis sezonin pa shlyer borxhin e Gjokës?

Situatë anormale: Federata nuk ka mundësi për momentin të shlyejë trajnerin, që do të thotë se ekipi vlonjat do të regjistrohet duke pasur borxhe në ngarkim?

Flamurtari humbi 6 pikë në renditje sezonin e shkuar, për shkak të vonesave në shlyerjen e borxheve. Kjo bëri që Federata Shqiptare e Futbollit të bënte një ndryshim të rëndësishëm, duke miratuar rregulloren e re, sipas së cilës borxhet e klubeve do t’i shlyente FSHF-ja, për të evituar heqjen e pikëve, ndërsa paratë do t’i bllokonte më pas pikërisht ajo nga fondi që u përket klubeve. Ka qenë një ndër çështjet më të debatuara këtë vit gjyqi mes Ernest Gjokës dhe Flamurtarit, për 45 mijë euro borxh, që klubi kuqezi i kishte mbetur ish-trajnerit prej vitesh.

ULTIMATUMI DHE KAS – Muaj më parë, FSHF doli me një vendim final: Flamurtari duhet të shlyejë 45 mijë eurot, që i detyrohet Gjokës nga kontrata e parë e tij, sepse është edhe një kontratë e dytë, me turqit, që nuk është shlyer plotësisht, por ajo është histori që i përket së ardhmes. Ultimatumi i FSHF-së konsistonte në heqjen e pikëve, nëse nuk paguhej. Për të evituar heqjen e pikëve, mbetej shtyrja e ultimatumit dhe kjo bëhej vetëm duke gjetur prova të reja, që nuk u gjetën, si dhe duke shkuar në KAS, në Lozanë, për të apeluar dënimin. Procedura nisi, dosja u dërgua, por… nuk u pagua tarifa rutinë për të hequr shpenzimet administrative. Apeli u refuzua, KAS-i i njoftoi të gjithë se çështja nuk u hap fare dhe mbeti në fuqi vendimi i FSHF-së.

ZGJIDHJA E FEDERATËS – FSHF nuk ka ndërmend ta prishë kampionatin dhe në fund të sezonit ndryshoi rregulloren, duke hequr dënimet në pikë dhe duke u përqendruar vetëm te shlyerja e borxheve, qoftë edhe nga fondet e saj, për t’ua bllokuar më vonë klubeve. Nëse Flamurtari nuk pranonte të paguante Gjokën, paratë i bllokohen nga Federata dhe Gjoka do të shlyhej gjithsesi. Kjo bënte që Flamurtari të mos kishte më asnjë alternativë, por të paktën do të evitoheshin dënimet në pikë.

NGËRÇI – Në teori, FSHF-ja paguan Gjokën dhe gjithçka mbyllet aty për trajnerin. Praktika? Deri tani nuk ka asnjë shlyerje, mëson “Sport Ekspres”. Burime në FSHF konfirmojnë se trajneri do të shlyhet nga Federata, por se kur, askush nuk e di. Zyrtarisht nuk ka asnjë deklaratë, por nën zë thuhet se për momentin arka e Federatës është bosh dhe deri në fund të verës, me sa duket, nuk do të kryhen veprime. Natyrisht, diçka që nuk është normale, sepse Gjoka pret të paguhet sipas rregullores që ka miratuar vetë Federata.

FLAMURTARI – Realisht, Flamurtari është i qetë tashmë, sepse FSHF-ja i ka bërë të ditur se borxhin e ish-trajnerit Gjoka do ta paguajë vetë, edhe nëse nuk e paguajnë vlonjatët. Megjithatë, mbetet fakt që nëse FSHF nuk kryen pagesën, Flamurtari e nis sezonin me borxhe dhe sipas rregullores, nuk mund të regjistrohet në garë pa bërë likuidimet e nevojshme financiare. Një situatë anormale, që tashmë i duhet ta zgjidhë Federata, që ka lënë gjithçka pezull, sepse edhe Flamurtari duket se e ka fjetur mendjen dhe nuk merret më me këtë çështje. Vetë Gjoka duhej të shlyhej rreth 2 javë më parë, por tashmë është në pritje. Një verë plot stres për trajnerin, i cili jo vetëm që u nda në mënyrë aspak të këndshme me Kukësin, por tashmë ka edhe problemet financiare të së shkuarës, që nuk po i zgjidhen. Me Flamurtarin llogaritë janë të hapura edhe më tej, sepse pas shlyerjes së borxhit aktual, Gjoka pret edhe 26 mijë euro borxh nga kontrata e dytë, ajo e lidhur me investitorët turq në verën e vitit 2014. Atë vit Gjoka e la drejtimin e Flamurtarit në tetor dhe që atëherë nuk është likuiduar nga administratori vlonjat Sinan Idrizi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *