Federata Shqiptare e Futbollit po bëhet gati të presë një nga eventet më të mëdha në Shqipëri. Finalja e UEFA Europa Conference League, kompeticioni më i ri i organizuar nga UEFA ku garojnë skuadra europiane do të luhet në Tiranë më 25 maj të këtij viti. Përgatitjet për organizimin e kësaj finaleje kanë nisur që prej dhjetorit të vitit 2021, atëherë kur Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi që kjo ndeshje të zhvillohet në një nga veprat më të mëdha infrastrukturore në Shqipëri, në stadiumin kombëtar “Air Albania”.
Jo vetëm përfaqësues të UEFA-s, por edhe zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit janë pjesë e grupit të punës që po merren me organizimin e kësaj ndeshjeje finale historike. Përveç tyre, të angazhuar në organizimin e këtij eventi madhor do të jenë edhe persona të tjerë, të cilët do të jenë të përfshirë në një program të quajtur “Programi i Vullnetarëve”. Ky program ka të bëjë me pjesëmarrjen e plot 400 vullnetarëve, të cilët do të mund të aplikojnë për të qenë pjesë e kësaj sfide finale dhe historike, për të dhënë secili kontributin e tij në këtë event gjigand dhe të rëndësishëm, ashtu sikurse do të kenë edhe mundësinë të trajnohen nga organizues të UEFA-s mbi detyrat që do të mbajnë përgjatë këtij aktiviteti, për të mësuar se si organizohet dhe zhvillohet një ngjarje e tillë me këto lloj përmasash.
Të gjithë të intersuarit për të qenë pjesë e programit të vullnetarëve do të mund zgjedhin të aplikojnë në pozicione të ndryshme të akredituara nga UEFA, si: organizues të ceremonisë, organizues të ndeshjes, teknikë, security etj dhe do të mund të aplikojnë përmes një linku që është aktiv dhe gjendet në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit (fshf.org) e që është si më poshtë:
https://programivullnetareve.fshf.al/
Për të lançuar këtë program kaq interesant dhe të rëndësishëm dhe me vlera të mëdha për çdokënd që dëshiron t’i bashkohet, jo vetëm të apasionuarëve pas futbollit, por edhe studentëve e personave të tjerë, kanë folur për fshf.org, Drejtuesi i Projektit të UECL, Kejdi Tomori, i cili shprehet se ky event është i rrallë për Shqipërinë dhe që organizohet në vendin tonë falë punës së frytshme të Federatës së Futbollit, ashtu sikurse i bën thirrje çdo kujt t’i bashkohen Programit të Vullnetarëve. “Mendoj se për Tiranën dhe Shqipërinë është një event që mund të vijë vetëm një herë, pasi evente të përmasave të tilla janë evente që kërkohen nga çdo Federatë dhe nëse kanë mundësi ta bëjnë çdo vit. Ky event nuk na erdhi nga qielli, është fryt i një pune që ka filluar rreth para 3 viteve me plotësimin e dokumentacioneve, angazhimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, të stadiumit dhe një sërë autoritetesh, të cilat e bëjnë të mundur ardhjen e finales në Tiranë. Një aspekt shumë i rëndësishëm është edhe stadiumi, sepse kuptohet, duke mos pasur një infrastrukturë të përshtatshme, patjetër që nuk do të mund ta ëndërronim ndonjëherë këtë finale” – shprehet Tomori.
Mesazhi për t’u bërë pjesë e Programit të Vullnetarëve – “Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet e lindjes është një problematikë dhe është e kundërta e vendeve të perëndimit apo vendeve skandinave, ku kultura e vullnetarizimit është shumë e përhapur. Mesazhi im për këta persona është që të vijnë, të bëhen pjesë e projektit të vullnetarëve dhe ta shijojnë sepse në fund të ditës bëhet fjalë për një finale të madhe, ku secili nga këta njerëz do të japë kontributin e vet dhe më pas do të ketë çfarë t’i tregojë të tjerëve” – thotë në fjalën e tij Kejdi Tomori.
Përgjegjësja e Programit të Vullnetarëve, Edlira Jaupaj flet për këtë event që do të mbahet në Shqipëri më 25 maj, teksa shpjegon se kush mund të aplikojë në këtë program dhe mënyrën se si do të mund të aplikojnë. Ajo shpjegon se më tej, do të vijohet edhe me një program shumë më të qartë, me universitetet e komunitetin sportiv, teksa shprehet se vullnetarët do të kenë mundësinë e trajnimeve nga organizues të UEFA-s që do të vijnë në Shqipëri për këtë ndeshje.
“Unë jam përgjegjëse për pjesën e vullnetarëve për projektin e UEFA Europa Conference League, që është një event super i madh për ne, pasi është i pari i këtij lloji dhe është shumë i rëndësishëm. Paralelisht me këtë, ne po ndjekim edhe programin e vullnetarëve, që është për herë të parë në Shqipëri që ne e organizojmë. Nis me këtë event, që është shumë i madh dhe do ta vazhdojë Federata edhe më tej. Në të gjitha eventet e saj do të ketë pjesën e vullnetarëve, qoftë në ndeshje shumë të rëndësishme, por edhe në evente të tjera madhore që ne do të organizojmë, pasi kemi evente shumë të mëdha në vijim” – thotë Edlira Jaupaj.
Mënyra e aplikimit në program – “Në projektin e vullnetarëve, aplikimi do të bëhet përmes një aplikimi të veçantë që do ta gjeni në web-in tonë dhe më tej do të kemi të gjithë vullnetarët, studentët ose personat e interesuar do të aplikojnë përmes këtij linku dhe do të lidhen në mënyrë direkte me faqen e UEFA-s. Gjithçka është në bashkëpunim me UEFA-n dhe është një nismë shumë e mirë që hapet në këtë formë dhe do të ketë një vazhdimësi akoma dhe më tej.
Pasi të bëjmë lançimin e fazës fillestare, që është linku në web dhe të tregojmë në mënyrë të saktë se si të bëhet aplikimi, do të vijojmë me një program shumë më të qartë, nëpërmjet universiteteve, komunitetit të sporteve dhe të tjera sepse gama e profesioneve apo profileve që do të mbulojnë vullnetarët është shumë e gjërë. Me vullnetarët do të zbresim edhe në detaje të tjera, kemi programe trajnimi më pas. Edhe vetë organizuesit e UEFA-s do të vijnë dhe do të aplikohen forma të ndryshme trajnimi për çdo lloj pozicioni” – përfundon përgjegjësja e projektit.