Përveç trajnerit Duro që do të flasë para ndeshjes me Partizanin, asnjë nga lojtarët nuk do prononcohet për mediat. Kuqezinjtë duan pikë në kryeqytet
Elton Nika
Pas fitores me Kamzën në kampionat dhe ruajtjes së vendit të tretë, në Vlorë kanë vendosur të qëndrojnë në heshtje për shtyp. është ky vendimi që ka marrë gjatë ditës së mërkurë klubi vlonjat, ndërsa dalja e vetme për mediat e shkruara dhe vizive pritet të jetë ajo e trajnerit Shpëtim Duro. Sa i përket lojtarëve, asnjë prej tyre nuk do të dalë në media deri pas përfundimit të ndeshjes së ditës së diel në kampionat përballë Partizanit. Një vendim jo i zakonshëm nga klubi i Flamurtarit, duke parë ecurinë e mirë në kampionat, por edhe faktin që problematikat këtë vit krahasuar me sezonet e tjera kanë qenë shumë të pakta nga Vlora. Gjithsesi ky është një vendim i klubit dhe tashmë do të respektohet nga të gjithë futbollistët, të paktën deri në fundjavë. Evitimi i euforisë dhe i deklaratave të bujshme, që mund të kenë ndikim në mbarëvajtjen dhe vëmendjen që duhet të ketë takimi, është synimi, sikurse sqaron klubi i Flamurtarit. Pas fitores me Kamzën situata në kampin kuq e zi është nga më pozitivet dhe pikërisht për t’iu ruajtur euforisë klubi vlonjat ka vendosur të shmangë vëmendjen e medias. Lojtarëve u është kërkuar që vëmendja maksimale të jetë vetëm tek përgatitja e ndeshjes me Partizanin, që cilësohet shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e kampionatit për të dyja skuadrat. Të kuqtë vijnë pas tre fitoreve radhazi në kampionat, ndërsa Flamurtari pas tre barazimeve dhe një fitoreje, pra skuadrat nuk njohin humbje së fundmi. Një fakt i tillë e shton edhe më shumë rëndësinë e takimit, ndaj edhe në klubin vlonjat kanë vendosur që për këtë qëllim lojtarët të qëndrojnë në heshtje. Në fakt nuk është hera e parë që merret ky vendim këtë sezon nga klubi i Flamurtarit, teksa edhe pas javës së tretë klubi vlonjat vendosi heshtje për shtyp për lojtarët. Edhe asokohe ekipi vinte pas dy fitoreve të marra ndaj Lushnjes dhe Teutës, çka tregon se në Vlorë i druhen euforisë dhe duan që gjithçka ta përgatitin me këmbë në tokë.
PËRGATITJET
Pas ditës së pushimit të akorduar nga stafi teknik, përgatitjet për Partizanin kanë rinisur vrullshëm, me dy seanca gjatë ditës së djeshme. Paradite skuadra ka punuar në palestër në një seancë të zhvilluar për rreth 60 minuta, ndërsa pasdite ekipi është zhvendosur në fushën me bar sintetik në Pyllin e Sodës. Skuadra do të vijojë të punojë më ritëm të lartë dhe gjatë ditëve në vijim, me qëllim që të jetë gati dhe në gjendje optimale për takimin e ditës së diel me të kuqtë.