Frika nga dënimet e tjera, Skënderbeu mesazh tifozëve

Skënderbeu pret Kukësin në shtëpi dhe për këtë takim janë kthyer tifozët. Klubi korçar ka paguar për të shlyer pjesën e mbetur të dënimit, pasi Komisioni i Disiplinës i kishte dënuar të luanin pesë ndeshje pa tifozë pas incidenteve në ndeshjen me Partizanin në javën e parë të kampionatit.

Sot, përmes një komunikatë në faqen zyrtare në “Facebook”, klubi i Skënderbeut ka lëshuar një mesazh për tifozët që do të jetë të pranishëm në stadium.

“Të dashur tifozë, pas më shumë se një muaji të dënuar për të luajtur pa praninë e tifozëve, klubi ka paguar pjesën e mbetur të dënimit dhe sot do të kemi mundësinë dhe kënaqësinë të luajmë me praninë tuaj në stadium.

Dëshirojmë t’iu njoftojmë dhe të sqarojmë opinionin publik dhe në veçanti tifozët tanë se klubi ka implementuar disa masa shtesë në bazë të ligjit të ri për sportin. Për t’iu përshtatur ligjit dhe për të krijuar lehtësirat e nevojshme Forcave të Policisë, klubi ka instaluar në stadium kamera sigurie.

Synimi ynë nuk është dëmtimi i tifozëve, por krijimi i kushteve maksimale dhe brenda ligjit për mbarëvajtjen e çdo takimi që do të luhet në vijim të sezonit në stadiumin ‘Skënderbeu’ për të mos përsëritur situatat e krijuara gjatë takimit të parë sezonal.

KF Skënderbeu, ju bën thirrje të gjithë tifozëve për bashkëpunim, qetësi dhe kulturë. Jemi të sigurt dhe shprehim besimin tonë se të gjithë së bashku do të krijojmë në vazhdim ambientin e duhur për të zhvilluar një takim futbolli në kushte normale dhe brenda rregullave. Faleminderit për mirëkuptimin, KF Skënderbeu”, shkruhen në komunikatën e klubit korçar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *