Stivi Frashëri është tashmë pjesë e Kukësit dhe klubi kampion e ka prezantuar zyrtarisht, duke shtuar radhët dhe duke rritur rivalitetin në portë, edhe pse titullari mbetet Enea Koliçi.
Gjithsesi, Frashëri e pranon qetësisht rolin e rezervës, për momentin: “Jam shumë i kënaqur që arrita të mbyll marrëveshjen me Kukësin dhe që nga dita e sotme jam zyrtarisht futbollist i këtij ekipi. Kënaqësia është më e madhe kur e di se po afrohesh te një ekip që synon gjithmonë fitimin e trofeve dhe i ka objektivat e qarta. Unë do të jap maksimumin për këtë ekip dhe sa herë të më jepet mundësia do të tregoj veten time. Koliçi? Portier shumë i mirë dhe djalë i shkëlqyer. Vitet e fundit është rritur shumë dhe ka pasur kontribut të madh te fitimi i titullit. Do të jetë mirë të punoj me të, por edhe me portierët e tjerë që ka Kukësi. E përsëris edhe njëherë që është kënaqësi e madhe që iu bashkova kampionëve”.