Skënderbeu ka lëvizur në ditët e fundit, pasi ka rinovuar me disa nga titullarët e sezonit të shkuar. U mendua se Marko Radas, Kristi Vangjeli do të largoheshin, por të dy u kthyen dhe do të luajnë nën urdhrat e teknikut Orges Shehi. Nga krahu tjetër, një emër që nuk ishte i sigurt nëse do të vazhdonte me “ujqërit” ishte Gjergji Muzaka.
Mesfushori me tipare të avancuara nuk gjeti marrëveshjen me Flamurtarin dhe u rikthye sërish te Skënderbeu. Ai doli sot në stërvitje dhe po zhvillon përgatitje normalisht me grupin. Portali “Korça Sot” publikon foton e Muzakës që i është bashkuar grupit. 33-vjeçari do të vazhdojë të qëndrojë me ekipin e Skënderbeut.
Një tjetër përforcim ky për skuadrën e trajnerit Orges Shehit. Muzaka ka qenë një lojtar i rëndësishëm nën drejtimin e teknikut Ilir Daja. Ai ka luajtur si titullar në 27 ndeshje duke patur kontribut në fitimin e titullit të fundit kampion.