Alban Hoxha zhvilloi një takim shumë të mirë, duke u shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes. Gardiani i Partizanit ka folur për emisionin “Gol pas Goli” në “SuperSport”, duke analizuar përballjen kundër Teutës.
Hoxha, i cili po sakrifikon duke luajtur i dëmtuar, e vlerëson pikën e marrë, tregon se si mund të mbahet vendi i parë, flet për rivalët për titull, duke habitur disi dhe nuk preferon t’i rikthehet ngjarjes së pakëndshme të ndodhur përpara derbit me Tiranën.
NDESHJA – “Kur pëson gol që në fillim është e vështirë që të gjesh lojën. Kishim ardhur këtu për tre pikët, jo se barazimi do ishte keq. Duke parë rrjedhën e lojës them se barazimi ishte rezultati i duhur dhe them se jemi mirë edhe me barazim. Kemi parë të gjithë se çdo ekip të krijon vështirësi. 5 pikë nuk janë asgjë. Duhet të lëmë sa më pak pikë që edhe Skënderbeun edhe Kukësin t’i mbajmë sa më larg.”
DËMTIMI – “Jam mundur të bëj sa më shumë terapi edhe palestër. Nuk e kam gjurin në gjendjen tim më të mirë. Nuk duhet të ankohem më se u bë si telenovelë. Do të vazhdoj me këto dhimbje dhe uroj që t’ia dal.”
VLERËSIMI – “Në çdo ndeshje dikush do e zgjidhë. Ka momente të mira dhe jo të mira. Ne nuk ishim në ditën tonë më të mirë, por rëndësi ka që të marrim rezultat edhe kur nuk jemi në një ditë jo të mirë.”
NGJARJA PËRPARA DERBIT – “Janë gjëra që ndodhin në të gjithë botën dhe nuk më pëlqen që ta komentoj çfarë ka ndodhur.”
RIVALËT – “Edhe Teuta është pretendentë, por nuk mund të them për titull. Them se do të jetë në katër ekipet e para. Ka zhvilluar lojë shumë të bukur, si me ne dhe në Korçë. Nuk e lashë Teutën jashtë, por ato që na ndjekin më shkuan në mendje. Nuk mund ta ndaj se me kë do të rivalizojmë më shumë se ka ende shumë ndeshje.”