Kristiano Ronaldo e mbylli supersfidën me Milanin me një gol të shënuar në fitoren 2-0 të Juventusit. Pas duelit të luajtur në “San Siro”, ylli portugez komentoi fitoren, që mban bardhezinjtë në krye të Serisë A, në distancë sigurie me 6 pikë nga ndjekësit e Napolit.
“Jam shumë i kënaqur për skuadrën, të luash kundër Milani në San Siro është mjaft e vështirë. Rekordi me 34 pikë nga 36 të mundshme për një skuadër të Serisë A? Nuk isha në dijeni të këtij fakti”, tha CR7 duke qeshur.
Dueli i javës së 12-të në kampionatin italian ishte mjaft i komplikuar për Gonzalo Higuain. Ish-sulmuesi i Juventusit shpërdoroi një 11-metërsh dhe u largua nga fusha me karton të kuq për protesta. Ronaldo komentoi edhe bisedën me tone te larta me argjentinasin në fushën e lojës.
“I thashë Higuain të mos e tepronte me protestat, sepse në të kundërt rrezikonte një penalizim edhe më të rëndë. Nuk është se bëri diçka të pazakontë. Ishte thjesht i nervozuar dhe në këtë pjesë duhet mirëkuptuar”.