Vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit. Një krizë rezultatesh, e cila bën që Flamurtari të jetë shumë larg pritshmërive të fillimit të sezonit. Pas pauzës për ndeshjet ndërkombëtare, vlonjatët rikthehen këtë të hënë në fushë, me objektivin për të marrë maksimumin e pikëve.
Suksesi mungon prej fundit të shtatorit dhe kuqezinjtë synojnë të gjejnë fitoren prej ndeshjes ndaj Tiranës. Në sulm, ai që ka shqetësuar kuqezinjtë gjatë këtyre ditëve ka qenë Torasa, i cili rrezikonte prej problemeve fizike. Gjithsesi, argjentinasi do të sakrifikojë për të luajtur përkrah Danilo Alvesh dhe Tomislav Bushiç në fazën ofensive
Kjo, duke parë emergjencën e mungesave, ku problem kryesor është në mbrojtje. Rikuperimet e Albi Allës dhe rumunit Sirgi nuk kanë ecur sipas parashikimeve. Të dy lojtarët do të mungojnë edhe ndaj Tiranës pas dëmtimeve, duke bërë që edhe në këtë ndeshje në qendër të repartit difensiv të jenë Pollozhani dhe Deliaj. Një tjetër mungesë është edhe ajo e Mustës së pezulluar me kartonë të verdhë, me Kotobellin që do të kthehet në krahun e majtë.