Flamurtari nuk ka ende një numër 1 për trajnerin Ilir Daja. Largimi i Adis Nurkoviçit ka lënë zbuluar katërkëndëshin e ekipit vlonjat, pasi në përbërje ka vetëm elementë të rinj. Nga krahu tjetër, një nga emrat që është përfoluar më shumë për afrimin në Vlorë është Enea Koliçi.
Portieri prishi marrëveshjen me Kukësin dhe tashmë është një futbollist i lirë. Ai u përfol se mund të kalonte në Greqi, por duket se kjo pistë është zbehur pak. 33-vjeçari ndoqi ndeshjen ndërmjet Skënderbeut dhe Teutës nga stadiumi i Korçës. Kjo gjë nxiti zërat për afrimin e tij te skuadra korçare, pasi kampi blu është “blinduar” me Isli Hidin.
Pogradecari sot i hodhi benzinë zjarrit me një foto nga Vlora. Koliçi postoi në rrjetet sociale një fotografi që e sheh duke pushuar në një nga hotelet e Vlorës. Nuk dihet nëse bëhet fjalë vetëm për pushime, apo ka diçka më tepër. Periudhë merkatoje është, ai ka nevojë për një ekip, Daja ka nevojë për portier. Ku i dihet…