Administratori i Flamurtarit ka shpërthyer ndaj gjykimit. Pas ndeshjes me Laçin nuk ka duruar më: Janë një grup i caktuar që janë ngritur kundër nesh!
Elton Nika
Flamurtari në protestë. Ndeshja e ditës së diel përballë Kamzës pritet të startojë me vonesë për shkak të protestës 15-minutëshe që do të organizohet nga klubi dhe tifozët, për shkak të gjykimit në këto gjashtë javë kampionat. Jo vetëm penallti të dhëna kundër, por edhe vendime për penallti të paakorduara në mënyrë flagrante nga ana e gjyqtarëve. Raste të shumta brenda një takimi, si rasti i Shkodrës ndaj Vllaznisë, ku ndaj Flamurtarit janë akorduar një “mal” me goditje dënimi, ndërkohë që për ndeshjen ndaj Laçit është protestuat për dy penallti të padhëna, por edhe për 11-metërshin e dhënë në favor të kurbinasve. Kështu, ndeshja me Kamzën do të nisë me 15 minuta vonesë dhe protesta është rruga që ka zgjedhur tashmë Flamurtari ndaj situatës së krijuar në dëm të tij. Është vetë administrator Sinan Idrizi që pranon se do të veprohet kështu, kjo edhe pas një kërkesë të tifozëve.
PROTESTA – “Do të startojmë me 15 minuta vonesë ndeshjen e radhës ndaj Kamzës në Vlorë, kjo edhe në shenjë proteste ndaj gjithë padrejtësive në kurriz të Flamurtarit. Është edhe një kërkesë e tifozëve, një protestë e cila do të zhvillohet kundrejt rregullave, me leje dhe pa asnjë incident. U kam kërkuar tifozëve që të jenë të qetë, të përmbajtur dhe të jemi vetëm në përkrahje të skuadrës e të lojtarëve. Protesta është e vetmja rrugë që mund të ndjekim në këtë moment ndaj vendimeve të qëllimshme kundër Flamurtarit. Nuk mund të flitet më tashmë për ‘gabime’ njerëzore, por kjo duket haptazi që bëhet qëllimisht, duke ndikuar dhe dëmtuar vetëm një skuadër. Por nëse bëhet në këtë mënyrë, kjo nuk është burrëri. Këta janë burracakë dhe asgjë më shumë. Jemi i vetmi zë që kemi folur haptazi, nuk kam asgjë personalisht me asnjë, por kemi dalë kundër dhe kemi ngritur zërin kundër sistemit aktual, kemi kërkuar të zbatohet ligji dhe asgjë më shumë se kaq. Janë një grup i caktuar që janë ngritur kundër Flamurtarit dhe me plot gojën mund të them se ky është një komplot kundër Flamurtarit. kjo nuk është asgjë tjetër veç një sjellje prej burracaku. Janë bërë shumë gabimet që të quhen të tilla, por këtu ka gjithçka të qëllimshme dhe e vetmja rrugë që mund të ndjekim ne është ajo e protestës. Janë dhjetëra raste të dhëna kundër nesh, ndërkohë asnjë në favor, edhe pse në ndonjë rast situata ka qenë pothuajse e njëjtë. Pra nuk mund të flitet aspak për rastësi, apo gabime, fjalë tashmë e gjetur kjo për t’u justifikuar. ky është komplot, këto janë të qëllimshme dhe kjo është e turpshme. Gjithsesi duroni deri në muajin mars, prej atëherë do të fryjë një erë e re në futbollin shqiptar, duroni deri atëherë! Kam pjesën më të madhe të lojtarëve që vijnë nga jashtë këtë sezon, pavarësisht pasaportës së tyre dhe e them me bindje se kanë mbetur të shokuar. Nuk e dimë si të futemi në fushë kanë thënë, kur në çdo moment jemi të persekutuar. Këtë nuk e kemi parë askund. Më thoni çfarë t’u them, çfarë t’u kërkoj unë lojtarëve. Kush do t’i paguajë pagat e trajnerit apo lojtarëve, sepse mund të thuhet se nuk ka patur rezultate, por pse nuk kanë ardhur?! Atëherë të dalin këta burracakë t’i paguajnë. E them me plot bindje, lojtarët kanë mbetur të shokuar nga ajo çfarë po ndodh. Kjo është direktivë, janë të përcaktuar, tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për një gabim që nuk u pa diku, tashmë u bënë shumë që nuk janë ‘parë’ nga gjyqtarët. Dhe për fat të keq vetëm ndaj një skuadre, vetëm ndaj Flamurtarit. Më thoni, kjo është rastësi?!”, shprehet administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, dukshëm i indinjuar pas rasteve të shumta kundër Flamurtarit.