Kuqezinjtë triumfuan pastër në transfertën me dinamovitët, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit. Të besuarit e Allmuçës rezistuan vetëm 45 minuta
Dinamo – Flamurtari 0-2
Shënues: Hoxhaj 48’, Musta 66’
Dinamo: Hoxha, Veseli (Elmazi 46’), Toçi (Alimadhi 46’), Tragaj, Koçi, Muça, Bogdani, Tole, Sallaku, Doksani, Çema (Gjata 68’). (Të gatshëm: Saraçi, Sulejmanaj). Trajner: Igli Allmuça..
Flamurtari: Qirko, Jakovljeviç, Musta, Bicaj (Deliaj 76’), Liçaj, Neziraj, Sidibe (Mersini 60’), Hyseni, Kamara (Tushi 60’), Tungara, Hoxhaj. (Të gatshëm: Sali, Maze, Bushiç, Alvesh). Trajner: Shpëtim Duro.
Gjyqtarë: B. Kaimi, D. Tomorri, A. Zalla, E. Kaso.
Delegat: E. Shera.
Kartonë të verdhë: Muça 44’, Gjata 58’
Jurgen Zela
Flamurtari mund të konsiderohet me një këmbë në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Në kompleksin “Internacional” në Pezë, Flamurtari në shumë pak raste e vuri në diskutim rezultatin, teksa dominoi në pjesën më të madhe të takimit. Nën prezencën e një numri të vogël tifozësh, vlonjatët nuk zhgënjyen dhe arritën që të shënonin dy herë, duke vulosur në një farë mënyre dhe çështjen e kualifikimit. Në krahun tjetër një Dinamo “e re”, që nuk kishte asnjë synim në këtë kompeticion, por e respektoi maksimalisht, duke arritur që të bënte dhe rezistencë gjatë pjesës së parë.
NDESHJA
Trajneri Allmuça, i fokusuar te ndeshja e javës së parë, kishte vendosur që të linte pushim titullarët dhe të aktivizonte djemtë e rinj në përballjen me Flamurtarin. Në krahun tjetër, trajneri Duro i besonte një formacioni shumë ndryshe nga ai që hodhi përballë Skënderbeut, por me emra të rëndësishëm si Bicaj, Liçaj, Neziraj dhe Hoxhaj. Ndeshja nisi me një tablo, Flamurtarin që sulmonte dhe Dinamon që mbrohej mirë. Neziraj ishte më aktivi, teksa tentoi në dy raste nga jashtë zone, por portieri vendas ishte në lartësinë e duhur. Dinamo në krahun tjetër provoi të dilte përpara me anë të kundërsulmeve dhe goditjeve standarde. Në mesin e pjesës së parë mund të kishte arritur dhe të surprizonte, kur Toçi me një goditje dënimi gjeti vetëm traversën. Ky ishte i vetmi rast i rrezikshëm për vendasit. Edhe pse Flamurtari ishte mjaft agresiv, Dinamo nuk u thye në asnjë nga tentativat e miqve në 45-minutëshin e parë. Në fraksionin e dytë, mbrojtja mike gaboi dhe Hoxhaj mori një top në dalje të zonës dhe e pa veten të vetëm me portierin. Në këtë situatë nuk e pati aspak të vështirë për të kaluar në avantazh të tijtë. Nuk do të kalonte shumë dhe i njëjti aksion do të përsëritej sërish, por në këtë rast protagonist ishte Neziraj që vertikalizoi në të 66-ën për Mustën, i cili dyfishoi rezultatin. Minutat e mbetura do të sillnin pak raste për shënim, ku mund të veçohet një mundësi e Gjatës dhe një tentativë e Tungaras. Dinamo, pa asnjë interes për kualifikimin, u paraqit denjësisht edhe pse me elementë të rinj. Flamurtarin e ngrohin edhe elementët që nuk kishin hapësira në ndeshjen e parë, duke i dhënë garanci se në këtë sezon do të jenë me pretendime të mëdha.