Fituan zemrën e gjithë tifozëve, Duka zbulon vendimin e shumëpritur: 4-5 lojtarë nga Shpresat i fton Reja në tetor

Kombëtarja e Shqipërisë do të rikthehet sërish në muajin tetor, por tifozët kanë mbetur ende me shijen e hidhur pas asaj paraqitje zhgënjyese ndaj Lituanisë. Por “karamelja” në këtë rast do të ishte Shqipëria U-21 që na mbushi me shpresë për të ardhmen. Futbollistët e drejtuar nga Alban Bushi morën një fitore historike në transfertë duke mposhtur mes spektaklit Austrinë, teksa ndeshja do të përfundonte 1-5.

Një përmbysje erdhi edhe me Andorrën për të treguar karakterin dhe forcën e grupit teksa ia dolëm në shifrat 3-1. E gjitha kjo merr më shumë jehonë për faktin se produkti ishte: “ALB, Shqipëri”. Ndërkohë i ftuar në emisionin e “Opinion”, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka zbuluar edhe lajmin e shumëpritur atje ku për ndeshjet e tetorit do të ftohen edhe 4-5 lojtarë nga Shpresat.

“Humbja me Lituaninë? Nuk është hera e parë që ndodh në momentin që nuk vlerëson kundërshtarin. Në opinionin tim personal është ky edhe ndryshimi mes ekipeve të mëdha dhe të vogla. Kështu ne një ekip akoma i vogël mesa duket pasi nuk e vlerësuam kundërshtarin. Ishte e gjitha vetkënaqësi, asgjë tjetër.

Objektivi kryesor i yni duhet të jetë 2024 duke parë edhe brezin e ri premtues që po na vjen. Kjo nuk do të thotë se jemi për turizëm në “Nationals League” apo në eliminatoret e Botërorit, pasi te kjo e fundit duhet të dalësh me patjetër në vendin e parë që të shkosh në Botëror.

Jo vetëm ata që luajnë në ekipin e parë dhe kanë ardhur nga Shpresat, por 4-5 lojtarë nga Shpresat do të ftohen në tetor nga Reja, për t’u bashkuar dhe ambientuar që të jenë për prespektivën e largët. Nëse shohim edhe rezultatet e marra nga Shqipëria U-21, të mbush me optimizëm”, ka thënë Duka. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *