Fitorja synohet nga krahët, Juliano “gatuan” skemën

Trajneri italian u beson lojtarëve të krahut. Trashi dhe Adorjan kanë peshën kryesore, të mbështetur nga Progni dhe Kalari

Partizani do të rreshtohet me një 4-3-3 në fushë kundër Vllaznisë. Ekipi i trajneri Mark Juliano do të mundohet që të marrë fitoren e 3 radhazi. Një detyrë e vështirë përballë shkodranëve që do të drejtohen nga trajneri Ernest Gjoka. Numri një i stolit të “demave”, Juliano ka zgjedhur edhe strategjinë që do të mundohet të çajë shkodranët. Italiani i ka dhënë shumë besim krahëve, pasi në ndeshjen ndaj Luftëtarit funksionuan mjaft mirë dhe e njëjta strategji do të përdoret edhe ndaj Vllaznisë. Tekniku italian i ka dhënë edhe detyrat e fundit të besuarve të tij.

TAKTIKA – Trashi dhe Adorjan do të kenë peshën kryesore në sfidën kundër Vllaznisë. Trajneri Juliano i ka kërkuar të dyve që të jenë shumë aktiv dhe të ngacmojnë mbrojtjen e Vllaznisë me kroset drejt zonës, por në raste të caktuar edhe me depërtimet në zonë. Adorjan ka cilësi të mira me topin në këmbë, por edhe Trashi mund të driblojë mjaft mirë. Megjithatë, tekniku i të kuqve kërkon që edhe mbrojtësit e krahut me Kalarin në të majtë dhe Prognin në të djathtë të jenë lart. Të dy duhet të kapin fundoret dhe të jenë mbështetje për Trashin dhe Adorjanin.

RRESHTIMI – Tekniku i Partizanit do ta hedhë një ekip sulmues në fushën e lojës. Ai do ta nisë me një 4-3-3, jo të pastër. Basrak do të jetë më i avancuar se Trashi dhe Adorjan që do ta mbështesin nga krahët. Juliano ka vendosur në të njëjtën linjë Bathën dhe La Kameranë, në mënyrë që skuadra të jetë më agresive në mesfushë dhe të fitojë duelin me kundërshtarët.
Formacioni – Nga minuta e parë në portë do të luajë portieri Alban Hoxha. Në mbrojtje në krahun e djathtë do të pozicionohet Progni, në qendër do të jenë Malota dhe Atanda, ndërsa në krahun e majtë Kalari. Ibrahimi duket se ka humbur balotazhin me nigerianin, por nuk i dihet deri në minutën e fundit se çfarë mund të gatuajë tekniku Juliano. Mesfusha do të ndërtohet nga Batha në të djathtë, La Kamera në qendër dhe Vila në të majtë. Trashi do të jetën i avancuar nga krahu i djathtë, në të majtin do të jetë Adorjan, ndërsa përpara në sulm do të luajë Basrak. Sulmuesi do ta nisë për herë të parë si titullar një ndeshje.

Formacioni i mundshëm i Partizanit
Hoxha – Progni, Malota, Atanda (Ibrahimi), Kalari – Batha, La Kamera, Vila – Trashi, Basrak, Adorjan

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *