Besa triumfon në Burrel, akuza, arrestim e hije trukimi

Kavajasit marrin tri pikët, Sinella bën sërish sherr. Sulmuesi i matjanëve, veç fjalëve për fiksim rezultati, kacafytet me të gjithë…

E shtunë 21 tetor 2017, ora 14.30 stadiumi Liri Ballabani, Burrel

Burreli – Besa 1-3
Shënues: Lamptej 13 (11-m) / Em. Kaloshi 6, Morina 45’+1’ (11-m), 77

Burreli: Hila, Ujka, Ibrahimllari, Pashaj, Mema, Xhuveli, Stana, Farruku (Lika 49), Polisi (Mallunxa 66), Lamptej, Ogbejesi (Lekgega 87). Në dispozicion: Hysa, Limani, Çupi, Ofejeh. Trajner: Shahin Berberi

Besa: A. Kaloshi, Kullolli, Er. Hoxha, Kaja, Biba, Isufi (Ramidhi 42), Mihani, Shabani, Em.Kaloshi, Ed. Hoxha (Oshafi 78), Morina (Dervishi 91’). Në dispozicion: Rexhepi, Brahimaj, Oshafi, Cara. Trajner: Ilir Berati

Gjyqtarë: E.Demiraj, G.Kamolli, A.Mima (Pogradec), E.Hoxha (Lezhë)

Kartonë të verdhë: Pasha 24’, Farruku 42, Ujkaj 43, Ogbejesi 57, Pashaj 63, Mema 83 / Isufi 38, Ramidhi 44

Karton i kuq: Pashaj 64′

Besa ka arritur dje në Liri Ballabani një fitore shumë të dobishme, madje me rezultat bindës 1-3. Loja është dominuar prej minutës së parë deri në fund nga skuadra mike që e tregoi qartë në fushë superioritetin. Madje siç u shpreh trajneri Sinella fitorja mund të kishte ardhur me rezultat më të thellë.
Goli i parë për Besën vjen shumë shpejt, që në minutën e gjashtë. Mbrojtësit e Burrelit e menduan Emrush Kaloshin në pozicion jashtë loje, por ai sapo merr në zotërim topin gjuan saktësisht, në krahun e djathtë të portierit Hila, duke shkaktuar shqetësim te skuadra e Berberit. Miqtë nga Kavaja nuk ngopen me golin e parë. Sulmojnë me Mihanin tre minuta më pas, por vendasit mbrohen fort. Në minutën e 12-të mbrojtësi kavajas Biba e ndal topin me dorë brenda zonës dhe kryesori drejton dorën në pikën e penalltisë. Ekzekutimi i 11-metërshit i besohet nigerianit Lamptej. Ai gjuan qetë, saktë dhe fort në krahun e djathtë të Kaloshit dhe barazon rezultatin 1-1. Mbrojtja e Burrelit përballet me një situatë të vështirë pas një gjuajtje të rreptë të lojtarëve të Besës nga 18 metra. Polisi në 33-ën vë në provë portierin e Besës. Kur pritej përfundimi i pjesës së parë ndodh më e keqja për skuadrën matjane. Në minutën e 46-të Ed. Hoxha depërton në zonë, drejt vijës fundore të fushës dhe aty pengohet nga Hila. Gjyqtari Demiri nxiton drejt pikës së bardhë të penalltisë. Matjanët e kundërshtojnë vendimin, duke debatuar me kryesorin, se ai nuk ishte i drejtë. Gjuan Morina dhe dyfishon rezultatin në 1-2.
Në pjesën e dytë Berberi aktivizon tre lojtarë të stolit me mendimin se mund ta freskonte lojën e skuadrës së tij. Por loja e Burrelit është e vakët, e brishtë dhe pa nerv. Sakaq kavajasit janë më të qartë, më të mobilizuar, më aktivë. Në të 48-ën, Farruku largohet nga fusha me barelë pas një dëmtimi të rëndë. Në minutën e 54-t lojtari i Besës, Hoxha ishte pranë golit të tretë. Kavajasit kontrollojnë lojën dhe Mihani rrezikon portën e Hilës. Në minutën e 63-të gardiani i portës së Burrelit eviton një gol të sigurtë. Është minuta e 77-të, teksa vjen goli i tretë për Besën. Morina u shmanget mjaft mirë mbrojtësve vendas, del pjerrtas me portën, gjuan me sa fuqi kishte dhe topi tund traun dhe përfundon në rrjetë, Burreli 1, e Besa 3. Tre minuta pa u mbyllur përballja nigerianët Lamptej e Ogbejesi konsumojnë një rast ideal për ta ngushtuar rezultatin. Gjithsesi, në fund tre pikët i merr Besa, në një ndeshje plot tension jashtë fushës.

Çfarë nuk ndodh në Burrel… ka akuza për fiksim rezultati

Fillimndeshja Burreli-Besa është shoqëruar me një incident. Policia lokale ka shoqëruar në komisariat sulmuesin e skuadrës matjane Kurbneshi (“Kupa” siç e thërrasin tifozët burrelas). Pak para takimit, ai u shpreh për mediat se rezultati është fiksuar 1-3 për skuadrën e Besës. Ai u tha gazetarëve se në fund të seancës stërvitore të ditës së premte, zyrtarë të klubit matjanë u janë shprehur lojtarëve se Besa fiton me këtë rezultat në Burrel. Sipas drejtuesve të Komisariatit të Policisë Mat, shoqërimi i shtetasit, Donald Kurbneshi ka ndodhur, sepse ai ka debatuar jo normalisht me zyrtarë të klubit, me lojtarë të skuadrës dhe me efektivë të policisë. Shumë shpejt në stadium kanë mbërritur familjarë të futbollistit, por nuk kanë marrë një përgjigje për ngjarjen e ndodhur. Po ashtu gjatë ndeshjes efektivë të policisë lokale janë kacafytur me 4-5 tifozë të Burrelit që ishin varur në murin rrethues të stadiumit për të ndjekur ndeshjen. Incidenti i tretë ka ndodhur mes trajnerit të Besës Sinella dhe disa përfaqësuesve të Burrelit, pasi tekniku i skuadrës mike ishte instaluar pak metra pas stolit të skuadrës së tij, në tribunën e Liri Ballabanit. Ai jepte udhëzime për lojtarët e skuadrës, ndërkohë matjanët e pranishëm në tribunën VIP kërkuan largimin e tij nga ai vend, pasi rezultonte i dënuar nga Komisioni i Disiplinës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online