Fitorja kundër Kukësit nuk i jep shumë buzëqeshje, Martini parashikon derbin e kryeqytetit: Partizani fiton kundër Tiranës

Thomas Brdaric ka marrë fitoren e parë të madhe te Vllaznia pas mbërritjes së tij te shkodranët. Këta të fundit kanë fituar me shifrat 0-1 kundër ekipit të sezonit në Superiore, Egnatias. Për këtë arsye kjo fitore shijon me aromë titulli. Në minutën e 11 të takimit, Xhemajli do të ndëshkohej me karton të verdhë pas faullit që i shkaktoi Krymit, ku i shkeli këmbën mesfushorit shkodran.

Cjapi u thirr nga VAR dhe ndëshkoi mbrojtësin vendas me karton të kuq. Në minutën e 38 të takimit do të vinte goli i Vllaznisë, teksa pas krosimit të Smajlit, topi do të devijohej dhe u dërgua në rrjetën e Alen Sherrit. Kështu do të mbyllej fati i këtij takimi, me Vllazninë që kthehet te fitorja që i mungonte prej 7 ndeshjeve. Nga krahu tjetër Teuta ka mundur Kukësin me shifrat 2-0, falë golave të Dacit në të 45 dhe të Bocit në të 89. Me këtë rezultat, Kukësi është zyrtarizuar në Kategorinë e Parë, teksa vetëm pak ditë më parë u zyrtarizua në finalen e Kupës së Shqipërisë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:

Martini: “Duhej ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë, humbëm shumë raste. Me pjesën e dytë nuk jam fare i kënaqur pasi e vendosëm veten në siklet deri në fund. Megjithatë vlejnë tre pikët shumë, kemi dhe tre finale. E ulëm shumë ritmin e ndeshjes, kjo ishte e gabuar. Kemi marrë tre pikë të vlefshme shumë për vazhdimësinë. Derbi? Unë shoh më të favorizuar Partizanin, Tirana vjen e goditur nga Kupa”.