“Duhej të fitonim sot kundër Egnatias, nuk ka rëndësi mënyra”! Trajneri i ri i Vllaznisë: E ndiej rastin e Qatip Osmanit, kështu u largova dhe unë…

Thomas Brdaric ka marrë fitoren e parë të madhe te Vllaznia pas mbërritjes së tij te shkodranët. Këta të fundit kanë fituar me shifrat 0-1 kundër ekipit të sezonit në Superiore, Egnatias. Për këtë arsye kjo fitore shijon me aromë titulli. Në minutën e 11 të takimit, Xhemajli do të ndëshkohej me karton të verdhë pas faullit që i shkaktoi Krymit, ku i shkeli këmbën mesfushorit shkodran.

Cjapi u thirr nga VAR dhe ndëshkoi mbrojtësin vendas me karton të kuq. Në minutën e 38 të takimit do të vinte goli i Vllaznisë, teksa pas krosimit të Smajlit, topi do të devijohej dhe u dërgua në rrjetën e Alen Sherrit. Kështu do të mbyllej fati i këtij takimi, me Vllazninë që kthehet te fitorja që i mungonte prej 7 ndeshjeve. Nga krahu tjetër Teuta ka mundur Kukësin me shifrat 2-0, falë golave të Dacit në të 45 dhe të Bocit në të 89. Me këtë rezultat, Kukësi është zyrtarizuar në Kategorinë e Parë, teksa vetëm pak ditë më parë u zyrtarizua në finalen e Kupës së Shqipërisë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:

Brdaric: “Dua të falënderoj shumë klubin, dua të falënderoj edhe trajnerin Qatip Osmani për punën që ka bërë më para në ekip. Kjo është jeta në futboll, ndonjëherë të vret dhe ndonjëherë e gëzueshme. Ne duhet të jemi në Final Four, është objektiv. Hoqëm fatin e keq në këtë stadiumtë Egnatias, sot duhej të fitonim, nuk kishte rëndësi mënyra. Ekipi nuk ka shumë vetbesim, por edhe fizikisht nuk jemi në nivelin e lartë për shkak të rezultave të fundit. Ne duhet të luajmë kështu gjithmonë, si në minutat e para. E nisëm shumë mirë, Egnatia u ndëshkua me karton të kuq. Ishte faji i tyre, jo i joni. Duhet pak kohë që të futen idetë e mia në ekip. Qatip Osmani? Është një njeri i mirë, ka bërë punë të mirë me ekipin, një burrë i qetë dhe me shumë njohuri. E ndiej pak Qatip Osmanin pasi dhe unë u largova nga Vllaznia dy vite më parë”.

Martini: “Duhej ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë, humbëm shumë raste. Me pjesën e dytë nuk jam fare i kënaqur pasi e vendosëm veten në siklet deri në fund. Megjithatë vlejnë tre pikët shumë, kemi dhe tre finale. E ulëm shumë ritmin e ndeshjes, kjo ishte e gabuar. Kemi marrë tre pikë të vlefshme shumë për vazhdimësinë. Derbi? Unë shoh më të favorizuar Partizanin, Tirana vjen e goditur nga Kupa”.