Fitore e madhe e Anglisë mes emocioneve dhe dramës, Bellingham dhe Kane heqin Meksikën nga Botërori

Anglia ka siguruar një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Meksikën me rezultatin 3-2 në një ndeshje plot ritëm, emocione dhe dramë deri në sekondat e fundit. Përballja e zhvilluar në stadiumin legjendar “Azteca” dhuroi spektakël për tifozët, me anglezët që treguan karakter edhe pse luajtën për më shumë se gjysmë ore me një futbollist më pak.

Heroi i ndeshjes ishte Jude Bellingham, i cili realizoi dy gola brenda pak minutash në pjesën e parë, duke i dhënë Anglisë avantazhin 2-0. Meksika reagoi menjëherë dhe ngushtoi diferencën me Julián Quiñones para pushimit, duke lënë gjithçka të hapur për 45 minutat e dyta.

Situata u komplikua për “Tre Luanët” në minutën e 54-t, kur Jarell Quansah u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së rishikuar nga VAR. Megjithatë, Harry Kane riktheu epërsinë me një gol nga pika e bardhë, ndërsa Raúl Jiménez shënoi gjithashtu me penallti për Meksikën, duke vendosur rezultatin përfundimtar 3-2. Në minutat e fundit, Jordan Pickford dhe mbrojtja angleze rezistuan ndaj presionit të madh të vendasve.

Me këtë fitore, Anglia avancon në çerekfinale, ku do të përballet me Norvegjinë, që surprizoi Brazilin. Ndërkohë, aventura e Meksikës në Botërorin 2026 përfundon mes duartrokitjeve, pas një paraqitjeje dinjitoze para tifozëve të saj. /Sport Ekspres/