Brazili i bashkohet Gjermanisë dhe Hollandës. Skuadra amerikano-jugore është eleminuar sot nga Kupa e Botës. Përpos fanellave verdheblu, asgjë tjetër në fushë nuk përfaqësonte Brazilin, të cilit dukej se e vetmja gjë që i kishte mbetur ishte emri i madh. Norvegjia ia ka dalë të fitojë me shifrat 2-1 kundër seleçaos.
Nordikët e nisën ndeshjen me një gol, por anësori ngriti flamurin dhe sinjalizoi pozicion jashtë loje. Më pas Brazili fitoi të drejtën e një 11 metërshi. Guimaraeshi mori përsipër të gjuante topin, i cili u ndal nga duart e portierit kundërshtar. Ky i fundit ishte një pikë kyçe për Norvegjinë, teksa pritjet e tij mbajtën Kombëtaren europiane në lojë.
Në minutën e 79 në skenë u shfaq Erling Halandi. Sulmuesi shtatlartë fitoi duelin me Gabrielin dhe me kokë e dërgoi topin n? rrjetë. Ndërkohë, në minutën e 90 ishte sërish Halandi ai që me një goditje nga jashtë zone pllakosi heshtjen në kampin brazilian. Nejmari ngushtoi shifrat nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 10 shtesë, por pa mundur të shmangë eleminimin. Një mbrëmje historike për Norvegjinë, e cila tashmë kualifikohet në 8 më të mirat e Kupës së Botës./Sport Ekspres/