Dje kanë firmosur disa nga titullarët e sezonit të shkuar në skuadrën e Tërbunit. Fjala është për kualitete dhe futbollistë të cilët janë në planet e trajnerit Kreshnik Krepi. Kështu, duke filluar që nga kamerunasi Janot e me radhë Mezini, Taku, Saliaj, Zagani, Prendi e Beci, do të jenë pjesë e skuadrës pukjane edhe në sezonin e ardhshëm.
Një lajm të tillë e ka konfirmuar vetë trajneri i skuadrës së Tërbunit, Kreshnik Krepi, i cili para se të firmoste vetë në Pukë ka kërkuar që disa nga titullarët e edicionit të shkuar të qëndrojnë.
“I kam dashur lojtarët e sipërpërmendur në ekip dhe ata do të jenë baza e skuadrës sonë. Nesër dalim në stërvitje dhe nisim përgatitjet për sezonin e ri. Në Pukë, unë kam besim se do të ndërtojmë një ekip me ambicie dhe për të synuar kreun e renditjes. Natyrisht, presim edhe disa lojtarë të rinj dhe me perspektivë, të cilët do të testohen. Shpresojmë që ndonjë prej tyre të na bëjë punë dhe të jetë zbulim i skuadrës.
“Bashkia do të investojë shumë për futbollin dhe për këtë kam marrë edhe garanci në takimet që unë kam pasur me kryebashkiakun Gjon Gjonaj, i cili ka kërkuar një ekip me ambicie sezonin e ardhshëm. Jemi një ekip, ku të gjithë mendojmë për punën dhe suksesin e skuadrës. Natyrisht, dua të falënderoj shumë edhe drejtorin teknik Oltion Kërnaja, i cili ka qenë mjaft i angazhuar gjatë kësaj periudhe dhe vazhdon që të negociojë me futbollistë cilësorë”, – ka thënë dje enkas për “Sport Ekspres”, trajneri i skuadrës së Tërbunit, Kreshnik Krepi.
Gani Pema