Safet Gjici i hapi luftë Flamurtarit dhe mesfushorit me tipare të avancuara Elton Kale. “Ai është lojtar i Kukësit dhe do ta shohin dhe Flamurtari dhe braziliani nëse do të firmosin. Kontrata e tij është e depozituar në FSHF”, – u shpreh numri një i verilindorëve në një intervistë për “Panorama Sport”.
Në fakt, duhet të ndalemi paksa te institucioni më i lartë i futbollit tonë, Federata Shqiptare e Futbollit. Çfarë roli ka FSHF-ja në të gjithë këtë lëmsh? Federata ka pranuar disa herë kontratat e Kukësit me rinovimin e lojtarëve dhe më pas është përballur me kundërshtitë e këtyre të fundit duke i dërguar çështjet në gjyqe.
Emini, Koliçi, Alla ishin çështjet e vjetshme, Guri u burgos 2 vite të tjera në janar, ndërsa shkodrani bënte “be e rrufe” se nuk kishte nënshkruar, ndërsa tani është Elton Kale që akuzon hapur klubin verilindor për falsifikim kontrate, duke paraqitur ato që sipas tij janë provat. OK, FSHF-ja nuk është Prokuroria dhe Gjykata të hyjë në vërtetësinë e firmave, por duhet të ketë një masë.
I vetmi lojtar që e ka ndjekur çështjen dhe në instancat e FIFA-s është Izair Emini. Ish-sulmuesi i Kukësit, që tani luan me Shkëndijen, e fitoi çështjen. Enea Koliçi dhe Albi Alla e zgjidhën me marrëveshje, pasi u rikthyen me kushtet e tyre. Guri u shit dhe nuk prishi qejf me presidentin Safet Gjici, ndërsa rasti i fundit është i Kalesë. Nëse lojtari e humbet çështjen në FSHF, siç ndodh zakonisht dhe fitohet në UEFA (mbetemi te hipoteza), çfarë përgjegjësie ka FSHF-ja? Apo duhet të mbyllë një sy e një vesh në të gjithë këtë rrumpallë…