Erzeni është nisur drejt Pogradecit, aty ku shijakasit do të zhvillojnë fazën përgatitore para nisjes së kampionatit të së Parës. Trajneri Dorjan Bubeqi ka një grup të plotë futbollistësh, teksa janë bërë afrime të rëndësishme. Që në fillim u mor për portën Bledian Rizvani, i cili erdhi nga skuadra e Bylisit, ndërkohë që më së shumti është aktivizuar në Superiore me Teutën. Gjithashtu u bënë edhe dy rikthime, me Jurgen Goxhën që ka ardhur nga Besëlidhja në formë huazimi për një sezon dhe mesfushorin Alfred Deliallisi, që sezonin e fundit ishte titullar fiks te Kamza, duke dhënë një kontribut të vyer për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Me përfundimin e kampionatit ai nuk rinovoi me skuadrën e financuar nga Naim Qarri dhe riveshi fanellën e Erzenit.
SULMI – Sezonin e shkuar ishte Armand Pasha shënuesi më i mirë i skuadrës, ndërkohë që edhe Rejnaldo Troplini arriti të shënonte gola të rëndësishëm. Në fakt tek Erzeni kishin programuar Anton Lleshin si sulmuesin kryesor, pasi vinte pas 17 golave të realizuar me Ilirinë e Fushë-Krujës. Sulmuesi deri në fund të sezonit shënoi 6 gola, ndërkohë që ende është nën kontratë me Erzenin, por gjatë kësaj periudhe është stërvitur me Ilirinë. Shijakasit ishin vënë në ndjekje të një tjetër sulmuesi dhe së fundmi është arritur marrëveshja me Aldo Mitrajn, i cili pas bisedimeve intensive, në mbrëmje ka gjetur marrëveshjen me Erzenin dhe do të jetë pjesë e këtij ekipi sezonin e ardhshëm. Mitraj vjet luajti me Sopotin dhe Bylisin, ndërsa në të shkuarën ka luajtur me Laçin, Partizanin, Apoloninë etj.