Këtë të premte janë zhvilluar punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Korçë, ku janë zgjedhur delegatët që do të përfaqësojnë SHRF Korçë në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së më 2 mars. Në këto punime morën pjesë delegatët e 5 anëtarëve të kësaj shoqate, nga 8 që janë në total. Këto 5 anëtarë u përfaqësuan në këtë mbledhje nga 7 delegatë. SHRF Korçë konstatoi me shqetësim se për zhvillimin e këtyre punimeve, përfaqësuesi i njërit prej dy delegatëve të KF Pogradeci nuk u lejua nga kryetari i Bashkisë Pogradec të merrte pjesë në këtë Asamble.
Dy anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj dhe Edvin Libohova përshëndetën punimet e kësaj Asambleje, duke i falënderuar anëtarët e SHRF Korçë për punën e bërë gjatë kësaj kohe në këtë zonë dhe duke i garantuar mbështetjen maksimale të FSHF-së për zhvillimin e futbollit në këtë qytet. Punimet u përshëndetën edhe nga kryetari i kësaj shoqate, Ilirjan Përmeti dhe më pas vazhduan sipas rendit të ditës, ku u miratua buxheti i SHRF Korçë për vitin 2022.
Gjithashtu, anëtarësia e shoqatës vendosi të propozojë emrin e Armand Dukës si kandidat për President të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe emrin e Arben Dervishaj si kandidat për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Shoqata Rajonale e Futbollit Korçë, në këtë mbledhje vendosi të trajtojë edhe propozimin e disa anëtarëve për zgjedhjen e përfaqësuesve të SHRF Korçë në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së. Në përfundim të votimit delegatët e SHRF Korçë zgjodhën me unanimitet të plotë, kryetarin në mandat, Ilirjan Përmeti dhe Roland Shkëlqimin për t’i përfaqësuar në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së.