Pas suksesit të vuajtur në Champions League, Interi përsëritet edhe në Serinë A italiane. Një fitore e vuajtur deri në fund në fushën e Sampdorias, me golin vendimtar të realizuar nga Brozoviç, në minutën e katërt të kohës shtesë.
Pasoja e fitores së vuajtur ishte kartoni i kuq për trajnerin Spaleti, i cili komentoi pikërisht momentin kur arbitri e detyroi të largohej nga stoli. “Kartoni i kuq? U ktheva nga kamerat për të bërtitur gol. Aty ishte arbitri i katërt, i cili më tha se e teprova. I’u drejtova kamerave, sepse ishte një gol i rëndësishëm. Ishte një britmë çliruese, por arbitrat e interpretuan si shumë emocionale”, tha trajneri zikaltër.
Pasi komentoi kartonin e kuq në fundin e ndeshjes në “Marasi”, Spaleti komentoi edhe vështirësitë e Interit për të arritur suksesin, por që në anën tjetër të medaljes mund të cilësohet edhe si forcë karakteri e një ekipi që nuk dorëzohet asnjëherë. “Ne jemi Interi. Duhet të luajmë gjithmonë në tehun e thikës për të siguruar fitoren”.