Festa e “Halloween”, personazhi i zgjedhur nga vogëlushi do t’ju mahnisë

“Makthi i çdo sulmuesi”. Një portier, që pak lojtarë në botë do të dëshironin ta kishin përballë. Vetëm pak javë prej transferimit nga Roma te Liverpuli, Alison Beker është shndërruar në idhullin e tifozerisë së skuadrës. Gjithmonë titullar në 12 ndeshje të luajtura, nga të cilat ka arritur ta mbajë portën të paprekur në shtatë raste.

Braziliani ka merita të padiskutueshme, në startn e jashtëzakonshëm të sezonit të Liverpulit. Portieri i dytë më i shtrenjtë në historinë e futbollit është kthyer në një prej lojtarëve më të dashur nga publiku, ndërsa ata që e tregojnë vlerësimin në mënyrën më origjinale janë padyshim fëmijët.

Në Angli, një fans i vogël i Liverpulit, i cili quhet Tristan, ka zgjedhur që si personazh për festën e “Halloween” në shkollë të vishej pikërisht si Alison. Me kostumin karakteristik të portierit, të gjithin të verdhë nga koka te këmbët. Pa harruar edhe detajet e rëndësishme: dorezat e portierit në duar, por mbi të gjitha me mjekrën të vizatuar, njësoi si idhulli i tij.

Një moment shumë i bukur, të cilin babai i djaloshit e fotografoi dhe e postoi në rrjetet sociale, me komentin: “Festa e Halloween në shkollë – makthi i çdo sulmuesi”. Fotografia u bë shumë shpejt një fenomen mediatik në rrjetet sociale, duke arritur deri te Alison. Madje, dukshëm i zbavitur nga pamja, portieri nuk nguroi ta komentonte. Edhe kaq mjafton, për të bërë të lumtur një tifoz të vogël.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *