Marko Fasone është arkitekti i rilindjes, të paktën në merkato, të Milanit. Administratori i deleguar, që mori vendin e Adriano Galianit, ka qenë i papërmbajtshëm dhe, nëse do të konfirmohet edhe Konti këto ditë, atëherë blerjet do të shkojnë në shtatë, në pritje të Kaliniç dhe një tjetër mesfushori, me Biljan dhe Kriçoviak në sfond. Sakaq, mbi Donarumën, me të cilin kanë rënë dakord për rinovimin, por pritet të ndodhë zyrtarisht: “Donaruma? Me fat që vesh fanelën e Milanit, do të jetë me ne të paktën deri më 30 qershor 2018. Do të zgjidhet, jam i sigurt.
Muajt e parë të mi te Milani? Kam pasur fatin që të njoh realitetet më të bukura të futbollit italian, Milani më ka surprizuar sepse të jep ndjesinë e të qenurit një klub i madh, një makinë shumë e fuqishme që është gati të rindizet pas vitesh në garazh. Plicari? Po punon Mirabeli, nëse do të funksionojë do të jetë një operacion i mirë për të dy palët. Konti? S’e di cilat janë programet e tij, meriton pushimet, ta lëmë të pushojë edhe pak”.
Raiola – Gjatë ditës së djeshme, “Sky” kishte hedhur hipotezën se Donaruma ishte tratativa e fundit e Milanit me Mino Raiolën dhe se, në të ardhmen, s’do të kishte të tjera. Marko Fasone ka hedhur poshtë këtë mundësi, duke u shprehur: “Keni shkruar se nuk flas më me Raiolën, nuk është e vërtetë, flas dhe shumë madje. Eshtë e vetmja gjë që mund të them. Mund të qëndroni të qetë, raportet janë të shkëlqyera”.