Fantazma rënieje në Berat, lojtarët nuk paguhen prej muajsh!

Pesë ndeshje pa fitore, vetëm një sukses në 9 ndeshjet e fundit dhe Tomori e sheh veten buzë greminës, tërësisht për faj të vet, edhe pse klubi përdor justifikime, duke akuzuar FSHF-në, kundërshtarët dhe arbitrat.

Përtej çdo pretendimi, i drejtë apo i gabuar, në lidhje me këto më sipër, Tomori ka shkatërruar gjithçka vetë, duke ndërtuar një skuadër të dobët, duke i trajtuar keq futbollistët dhe duke i “torturuar” në aspektin financiar.

Nga burime brenda skuadrës beratase mësohet se një nga arsyet kryesore të krizës është fakti që futbollistët kanë 3 muaj pa u paguar!

Buxheti i klubit është çelur qysh në janar të këtij viti, ndaj nuk ka arsye për këto vonesa, ashtu si nuk ka arsye për absurditetet e klubit në merkato, me afrime aspak cilësore, apo largime habitëse, më i fundit ai i qendërmbrojtësit Mujkiç.

Nëse fundjavën e ardhshme nuk fitohet ndeshja shtëpiake kundër Turbinës, gjithçka rrezikon të përfundojë në mënyrë tragjike, sepse nuk duhet menduar si e pamundur zbritja nga kategoria.

EDI SPAHIU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *