Data e sotme shënon një moment të veçantë në jetën e Roko Vatës. Mesfushori shqiptar ka kryer sot debutimin e tij si futbollist me ekipin e parë të gjigantëve skocezë, Celtic. Djali i ish-lojtarit të Kombëtares kuqezi, Rudi Vatës, është aktivizuar në fushë në minutën e 84-t në fitoren 0-4 që Celtic-u mori në transfertë kundër Hibernianit.
Edhe pse vetëm 17 vjeç, Vata ka mundur të marrë disa minuta në këmbët e tij mbrëmjen e sotme, duke vërtetuar kështu besimin e madh që klubi ka për aftësitë e tij. Një arritje e madhe për Rokon, i cili premton për një karrierë të suksesshme në të ardhmen./Halit Delibashi-Sport Ekspres/