Fitorja e Flamurtarit sigurisht që e ka gëzuar Sinan Idrizin. Administratori i kuqezinjve është nga ata që nuk futet shumë në çështje teknike. E thotë hapur: “Unë nuk marr vesh shumë”. Pas ndeshjes me Kukësin, i pyetur mbi skuadrën, shkurtimisht ka thënë: “Ekipi me pëlqeu”.
Për objektivat është e kotë ta pyesësh. Përgjigjen e ka standarde: “Ta themi vlonjatçe: respektim i fanellës, asgjë më shumë”. Edhe pse nuk e thotë, Europën e do. Jo vetëm, edhe Kupën do i pëlqente ta fitonte. Titullin? As që do mend. E kush nuk i do trofetë. Gjithsesi Idrizi nuk e ndryshon “kasetën” sa herë flitet për objektiva.
Safet Gjici, presidenti i Kukësit, nuk ishte në stadium. Numri një i vlonjatëve nuk dëshiron që askush të mendojë se homologu i tij mungoi prej çështjes Kale. “Pse mungoi Gjici? Nuk hyn çështja Kale, çfarë janë këto. Gjici është një mik. Kishte një gëzim familjar dhe kaq. U telefonuam dhe folëm. Madje e urova”, u shpreh Idrizi.
Por ka edhe një surprizë në fund: “Shumë shpejt Flamurtari do të ketë fanella të personalizuara të firmës Nike. Ndoshta edhe me logon Air Albania në bluzë”. Gjithsesi Idrizi duhet ta kuptojë: tifozët më së shumti duan një titull.