Gjykata e Palermos pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur masën “arrest shtëpie” për Mauricio Zamparinin. Vendimi është provizor dhe ka ardhur pas hetimeve të prokurorëve Dario Skaleta dhe Françeska Desi. Ish-pronari i Palermos akuzohet për falsifikime në bilance dhe pastrim parash.
Vendimi i marrë nga Gjykata nuk është përfundimtar, pasi fjalën e fundit rreth kësaj cështje do ta thotë Gjykata e kasacionit. Në shkallën e parë të gjyqit, vendimi me arrest shtëpie ishte hedhur poshtë. Kërkesa e Prokurorisë u morr parasysh nga shkalla e dytë e gjyqësorit. Tashmë Zamparini ka edhe një shans të fundit për të hedhur poshtë akuzat.
Hetimet kanë nisur një vit më parë, ku përveç 77-vjeçarit të përfshirë janë edhe djali i tij, sekretarja Alesandra Bonometi, pesë profesionistë dhe Xhovani Xhamarva, ish-presidenti i skuadrës të futbollit, Palermo. Sipas hetuesve, deri në vitin 2018 klubi ka përfituar kredi në bilance falë të dhënave të pasakta.