Laçi ka humbur një nga titullarët e dy sezoneve të fundit. Mesfushori Fjoart Jonuzi ka bërë publik largimin e tij nga kurbinasit dhe pritet ta vazhdojë karrierën në tjetër ekip. Futbollisti i formuar te Kukësi iu bashkua bardhezinjve janarin e vitit 2016 dhe dha kontributin e tij në shpëtimin prej rënies nga Superiorja.
Jonuzi numëron rreth 90 ndeshje me Laçin, katër prej të cilave në kualifikueset e Europa League një vit më parë. Mesfushori ikën me falënderime. Me bardhezinjtë ai gjeti hapësirat që deshi dhe pati mundësinë të tregojë vlerat e tij në fushën e blertë.
“Nga sot nuk jam më pjesë e ekipit të K.F Laçit. Ishte kënaqësi që isha pjesë e juaja, falënderoj presidentin dhe stafin teknik për mundësinë e dhënë. Falënderoj të gjithë bashkëlojtarët dhe tifozët për mbështetjen e tyre. Ju uroj suksese në Europa League dhe në vazhdimësi”, njofton Jonuzi përmes rrjeteve sociale.