Java e dytë e “Abissnet Superiore“-s është mbyllur me takimin Partizani-Laçi. Ndeshja, e cila u zhvillua në kryeqytet, përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të kampionëve në fuqi. Një fitore e arritur me vështirësi për “demat e kuq”, të cilët e gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 92-të me anë të Magetit. Pas përfundimit të sfidës, trajnerët përkatës kanë dhënë përshtypjet e tyre të para për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Zekiç (Partizani): “Falë Zotit që fituam në fund. Por Laçi në pjesën e parë ishte më mirë se Partizani. Ishim të zgjatur si ekip dhe nuk ishim kompakt. Pas 15 minutave e kuptova se duheshin bërë ndryshime. Por ndoshta është pak aspekti psikologjik i ditës së enjte që ndikoi te lojtarët sot. Ndoshta disa lojtarë mendojnë se mund të fitojnë lehtë, por e pamë që nuk ka fitore të lehta. Nëse Laçi do të shënonte sot një gol, do të ishte shumë e vështirë ta kthenim ndeshjen. Është mrekulli që nuk humbëm sot. Largimi i Carës ishte lëvizje taktike. Nuk jam i kënaqur nga loja e tij, si me top, si pa top. Shpresoj që të jetë hera e fundit që skuadra ime luan në këtë mënyrë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/