Fakiç: Nëse Doka ikën nga Tirana, vjen në Korçë !

 

Drejtori sportiv i korçarëve thotë me bindje se Skënderbeu ka grupin më të mirë të lojtarëve dhe parësor do të jetë titulli kampion

I lumtur për lëvizjet që ka bërë Skënderbeu gjatë merkatos së verës, drejtori sportiv i klubit korçar, Haris Fakiç, shprehet se grupi aktual është më i miri në kampionatin shqiptar. Ai thekson se lojtarët e ardhur duhet të rriten, të tregojnë veten dhe të ndihmojnë ekipin në objektivat që ka, në mënyrë që më pas të shiten në Europë. Thjesht duhet të bëjnë atë që kanë bërë Latifi, Olajinka dhe Berisha. Ai flet për Dokën dhe shitjet e mundshme në janar dhe në verë.

– Fakiç, si e shikoni merkaton e kësaj vere për Skënderbeun?

– E shikoj këtë merkato shumë cilësore, duke pasur parasysh  politikën tonë si klub për të afruar futbollistë të talentuar dhe cilësorë. Ju garantoj se ky Skënderbeu disponon grupin më të mirë të lojtarëve në kampionat, pse jo edhe në rajon. Them se është merkatoja më e mirë e viteve të fundit.

– Do të kemi ndonjë goditje tjetër?

– Në fakt, merkatoja brenda vendit nuk është mbyllur dhe nuk përjashtohet mundësia të afrojmë ndonjë lojtar të fundit dhe më pas mund ta quajmë me plot gojë merkaton të mbyllur.

– Po Albi Doka, a është objektiv i Skënderbeut?

– Albi Doka për mua është një futbollist shumë interesant dhe i përshtatet politikës së klubit “Skënderbeu”, por orët në vazhdim do të tregojnë realisht, nëse do të bëhet apo jo lojtari ynë. Ju them vetëm diçka, nëse e merr ndonjë skuadër tjetër Albi Dokën nga Tiran, jemi vetëm ne.

– U fol edhe për Dejvi Bregun apo Kristal Abazajn. Pse nuk u arrit akordi me këta lojtarë?

– Bregu dhe Abazaj janë futbollistë shumë të mirë dhe kanë një të ardhme të mirë. Por nuk kanë qenë objektivi ynë në këtë merkato. Kemi qenë të fokusuar te futbollistë të tjerë, të cilët ishin përzgjedhur që 6 muaj përpara.

– Ka pasur shumë afrime këtë verë, janë 10 përforcime. Cili është ai që spikat?

– Unë besoj shumë te grupi, ashtu siç kemi luajtur në Europë. Besoj se me këtë grup jemi kandidatët kryesorë për fitimin e titullit kampion.

– Sahiti, Kelmendi, Demte e shumë emra të tjerë vijnë si talente. Kjo do të thotë se shumë shpejt do të shiten si Latifi?

– Duke pasur parasysh objektivat e klubit, së pari marrim futbollistë me kualitet për të na ndihmuar në objektivat tona. Politika jonë është që këta futbollistë të talentuar të rriten sa më shpejt. Nëse fillojnë të japin aq sa ka dhënë Latifi te ky klub, mundësia e transferimit të shpejtë të tyre është e madhe. Për katër vitet e ardhme kemi 4 futbollistë me perspektivë, të cilët më herët se të mendohen për t’u shitur, duhet të dalin në krye të lojtarëve të Superiores, siç dolën Latifi, Olayinka dhe Berisha, që më pas u shitën.

– Po Nespor, Aliti, Soue, Shkodra, Dita etj, janë lojtarë që do ta ndihmojnë ekipin në objektivat që ka?

– Mendoj se janë futbollistë që do të na ndihmojnë shumë. Edhe pse Shkodra dhe Dita nuk kanë qenë titullarë, gjithçka ndryshon me kohën. Konkurrenca bën të vetën te Skënderbeu dhe do të jetë “lufta” konstante për një vend në formacion, që do të ndikojë pozitivisht në këtë sezon. Deri në fund të këtij viti këta emra do të kenë mundësitë të tregojnë pse kanë ardhur në këtë klub.

– Ka pasur ndonjë synim tjetër klubi, që nuk e arriti?

– Kemi pasur interes për disa emra të tjerë, por për arsye të ndryshme nuk janë sot pjesë e Skënderbeut.

– Mund të na thoni kur do të jetë shitja e radhës te Skënderbeu, në janar apo verë?

– Besoj se do të ketë shitje edhe në janar. Në verë as që diskutohet një gjë e tillë. Skënderbeu do të marrë pjesë në grupet e Europa League dhe mundësia për shitje është më e madhe.

– Kalojmë te grupet e Europa League. Keni marrë informacione për kundërshtarët, çfarë synimesh ka Skënderbeu?

– Kalimi i grupeve është në plan të dytë, pasi më i rëndësishëm është fillimi i kampionatit. Duam titullin dhe, nëse del mundësia që të kalojmë grupet, është diçka shumë e mirë. Do të luajmë për një tjetër arritje historike.

– Partizani, Kukësi dhe Flamurtari. Si e shihni garën e titullit?

– Këto ekipe kanë bërë më shumë lëvizje në merkaton e verës. I kemi ndjekur me shumë vëmendje dhe sigurisht që janë forcuar shumë. Prandaj duhet të fillojmë sa më mirë kampionatin, sepse edhe konkurrenca do të jetë e madhe për titullin.

– Po me huazimet, çfarë bëhet?

– Kemi huazuar këtë verë Osmanllarin te Korabi, Serxhio dhe Çarls te Rabotniçki, me të cilin kemi një bashkëpunim shumë të mirë. Oto Xhon edhe për një vit do të jetë te Trepçe 89’. Ardit Hoxhaj te Flamurtari, Bushi te Besa. Këto janë huazimet, por ka mundësi edhe për ndonjë huazim tjetër.

– Së fundi, a është gati Skënderbeu për sezonin e ri dhe deri ku mund të shkojë?

– Kur Skënderbeu nuk ka shkuar larg? Mendoj se këtë vit do të jemi më mirë, më të fortë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online