Fitorja e Vllaznisë në shifrat 1-0 ndaj Kukësit ka mbyllur përfundimisht ëndrrën e verilindorëve për të fituar titullin kampion në Superiore. Ky ishte dështimi i dytë për ta në pak ditë, teksa do të eliminoheshin edhe nga Kupa e Shqipërisë.
Në një prononcim për “Ora News” pas ndeshjes, Safet Gjici ia ka faturuar humbjen Orges Shehit. Ndërkohë nuk mund të mungonte edhe urimi për Tiranën që arriti të fitonte matematikisht Superioren në këtë sezon.
“Jo, nuk prisja fare këtë rezultat dhe mbas disfatës së madhe që bëmë në kupën në Durrës, kjo është disfata e dytë për ekipin dhe klubin. Gjithsesi, Shkodra fitoi me meritë. Ekipi i Kukësit nuk ishte fare në fushë. Faji i stafit apo faji i ekipit, nuk e di, por fajin trajneri e ka. Patjetër do ketë një analizë. Klubi do bëjë analizat e veta. Ndoshta u dje lodhja e Durrësit, sepse sot ekipi ishte shumë i lodhur. Nuk e prisja këtë rezultat për të thënë të vërtetën. Me ekipin e Shkodrës, të gjithë djem të rinj, kishin edhe mungesa.
Gjithsesi, i uroj suksese Shkodrës, por ekipi i Kukësit nuk e meriton në fakt të jetë në këtë renditje. Duhet të kishte marrë titullin kampion me kohë. Ndoshta faji është edhe i trajnerit, por edhe skuadra ka pasur problemet e veta, ka humbur shumë ndeshje në minutat e fundit. Tirana ka dalë kampion, padiskutim që suksesi është i Tiranës, vazhdojmë përpara”, u shpreh Gjici. /Sport Ekspres/