Teknologjia sot po ndërhyn kudo, madje edhe në futboll çdo ditë po krijohen metoda të reja, për të minimizuar çdo lloj gabimi. Një tjetër risi është transmetimi direkt i ndeshjeve online, çka mund të dëmtonte më së shumti televizionet.
Premier League është konsideruar gjithnjë si një ndër kampionatet më të forta në botë dhe transmetimi i saj është një sfidë më vete për televizionet, pasi shifrat janë të frikshme.
Tani konkurrenca shtohet, sepse pak muaj më parë u publikua lajmi se për të parën herë Amazon kishte blerë të drejtën e transmetimit online për disa nga ndeshjet këtë edicion, por sot raportohet një tjetër lajm akoma dhe më i bujshëm.
“Facebook” mësohet se ka paguar plot 200 milionë paund për të transmetuar livestream në Tajlandë, Vietnam, Kamboxhia dhe Laosi, ku BeIN Sports aktualisht ka të drejta ekskluzive. Mësohet se “Facebook” ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me drejtuesit e federatës angleze, duke nisur një revolucion në transmetimet sportive.
Në këtë mënyrë edhe televizioni merr një goditje jo të vogël, kjo për faktin se tashmë tregu mund të zgjerohet dhe në të ardhmen askush mund të mos ketë nevojë për të ndjekur ndeshje në TV!