Europiani U-19 për femra/ Kombëtarja mund Andorrën me supergolin e Tanushit!

0

Kombëtarja shqiptare e femrave nën 19 vjeç ka arritur të marrë tre pikët sot në ndeshjen ndaj Andorrës, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2022.

Vajzat e drejtuara nga Kreshnik Krepi fituan me rezultatin 1-0, duke siguruar kështu fitoren e parë pas dy ndeshjesh të zhvilluara në grupin B3, ku janë shortuar së bashku me Andorrën, Uellsin dhe Moldavinë.

Krepi e nisi lojën me këtë formacion: Hyska, Troka, Gjergji, Vuksani, Avullija (Kacorri 46’), Iliadhi, Armoku (Bilali 87’), Cemeri (Qose 61’), Mema, Hamonikaj.

Skuadra shqiptare zhvilloi një ndeshje të bukur, ku pjesa e parë e lojës thuajse u dominua nga vajzat kuqezi, të cilat e nisën mirë lojën, duke kontrolluar topin që në minutat e para dhe kërkuan të shfrytëzojnë hapësirat boshe të  kundërshtarit.

Goli për skuadrën tonë do të vinte në minutën e 12-të, me Iris Armokun që dërgon topin në rrjetë, por që gjyqtarja sinjalizon për një pozicion jashtë loje. 3 minuta më vonë, një tjetër rast i rrezikshëm për vajzat kuqezi, teksa Hamonikaj jep bukur një krosim brenda zonës, por që nuk shfrytëzohet mirë nga Mema, e cila e dërgon topin jashtë porte.

Sërish mundësi e artë për skuadrën e Krepit, me Iris Armokun, e cila nga brenda zonës nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë, duke humbur kështu një mundësi të artë. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin e bardhë 0-0.

Shqipëria u shfaq dominuese në fushë edhe në fraksionin e dytë të lojës, duke krijuar një mori rastesh, por goli i fitores do të vinte vetëm në minutën e 90-të, nga këmbët e Matilda Tanushit, e cila fiton një goditje dënimi dhe kërkon ta realizojë vetë, duke e dërguar topin në rrjetën kundërshtare.

Një fitore e bukur e vajzave kuqezi, të cilat renditen kështu në vendin e dytë me 4 pikë pas dy ndeshjesh, ndërsa do të luajnë edhe ndeshjen e tretë dhe të fundit ndaj Uellsit të vendit të parë më 25 tetor.

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.