Etika dhe Europa League mbajnë pezull Luftëtarin

Gëzim Beqiri

Ka vetëm një shpresë të vogël dhe të vetme, që ekipi i Luftëtarit të marrë pjesë në Kupat e Europës. Nëse Skënderbeu penalizohet nga Komisioni i Etikës për trukim të ndeshjeve, u takon gjirokastritëve të luajnë në Europa League. Ekipi korçar akuzohet prej kohësh, por pak, për të mos thënë se është e pamundur, që Skënderbeu të përjashtohet nga aktivitetet ndërkombëtare.

I vetmi njoftim i dalë nga drejtuesit e Luftëtarit në këto ditë pushimesh është se, nëse ekipit i lind e drejta të luajë në Europë, stërvitja do të fillojë menjëherë, duke shtuar se do të përfaqësohet me po këta futbollistë në Europa League. Lojtarët janë vënë në dijeni se mund të marrin pjesë në këtë kompeticion dhe për këtë qëllim nuk duhet t’i kalojnë këto ditë në pushim absolut. Për rifillimin e fazës përgatitore është vendosur një datë e përafërt me mesin e këtij muaji. Vështirësia e grumbullimit qëndron për futbollistët afrikanë dhe tre prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë në Qipro, duke pritur një përgjigje për datën e saktë të fillimit të stërvitjes.

Vetëm sulmuesi Rexhinaldo ka përfunduar në vendlindjen e tij, në Mozambik, ndaj do ta ketë të vështirë për t’u kthyer në datën e nevojshme, sepse i duhen tre ose katër ditë për udhëtimin e kthimit në Shqipëri. Luftëtari ishte shumë pranë pjesëmarrjes në Kupat e Europës, pasi u rendit në vend të katërt në përfundim të kampionatit, por fitorja e Tiranës në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut i dha të drejtën skuadrës kryeqytetase të përfaqësohet në këtë veprimtari. Një finale e përfolur për tolerim nga korçarët, të cilët, pasi nuk mundën të fitonin titullin kampion, u mjaftuan me vendin e tretë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *